Breaking News

Irani dënon ashpër sulmin izraelit në Homs

Irani ka dënuar ashpër sulmin e regjimit izraelit në një bazë ajrore në provincën siriane të Homsit, duke thënë se ky agresion ishte një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar që do të forconte terroristët.

“Agresioni i regjimit izraelit ndaj Sirisë është një shkelje e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të këtij vendi dhe bie ndesh me të gjitha normat dhe parimet ndërkombëtare”, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasemi. “Ky agresion vetëm sa do të komplikojë më tej situatën kritike në Siri dhe në zhvillimet rajonale,” shtoi ai. Zëdhënësi iranian më tej theksoi se ndërsa qeveria siriane ka fituar epërsi në fushën e betejës, regjimi izraelit kreu sulmin ajror për të forcuar grupet terroriste dhe për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga sulmet e vazhdueshme izraelite kundër Rripit të Gazës, ku mbi 30 palestinezë janë vrarë në ditët e fundit. “Republika Islamike e Iranit përsërit edhe një herë mbështetjen e saj të plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të Sirisë dhe për popullin e saj”, tha z. Kasemi. Ai u bëri thirrje “të gjitha vendeve të lira dhe bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojnë indiferentë” ndaj një sulmi të tillë izraelit kundër një anëtari të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se sulme të tilla “me siguri do të rrezikojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Advertisements