Breaking News

Irani do të largohet nga marrëveshja bërthamore nëse rivendosen sanksionet

Një ligjvënës i lartë iranian deklaroi se Republika Islamike patjetër do të largohet nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar me grupin e vendeve të G 5 + 1 në vitin 2015, nëse Shtetet e Bashkuara rivendosin sanksione mbi Teheranin.

“Objektivi më i rëndësishëm i marrëveshjes bërthamore, ishte heqja e sanksioneve,” tha të shtunën Kryetari i Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian z. Alaedin Boruxherdi. “Nëse sanksionet ndaj Iranit do të rivendosen, ne definitivisht nuk do të mbetemi në marrëveshjen bërthamore,” shtoi ai. Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha të enjten se Uashingtoni mund të dilte nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe do të impononte sanksionet ndaj Republikës Islamike. Ajo akuzoi Iranin për mbështetjen e terrorizmit dhe për shkeljen e kushteve të marrëveshjes bërthamore dhe tha se evropianët po mbyllnin sytë ndaj kësaj çështjeje, por shtoi se SHBA nuk do ta bënin këtë. Alaedin Boruxherdi kundërshtoi komentet e Haley se Teherani nuk do të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore, sepse kishte për qëllim të vazhdonte lidhjet tregtare me vendet evropiane dhe tha se ambasadorja e SHBA në OKB nuk duhej të merrte vendime për Iranin. Ai më tej theksoi se Irani vendos vetëm në bazë të interesave të veta kombëtare. Kryetari i Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian tha se nëse rivendosen sanksionet ndaj Teheranit pas një tërheqjeje të mundshme të SHBA nga marrëveshja bërthamore, mbetja e Iranit në këtë marrëveshje nuk do të siguronte objektivat e vendit. Ligjvënësi i lartë iranian theksoi se Irani do të mbajë lidhjet e tij me vendet evropiane për aq kohë sa ekzistojnë interesa të përbashkëta.

Advertisements