Breaking News

Kosova: Shqipëria të rishikojë taksën mbi Rrugën e Kombit

Nën patronazhin e Partisë Evropiane Socialiste u zhvillua në Tiranë konferenca ballkanike e të majtëve të rajonit, ku Kosova u përfaqësua nga Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Fatmir Limaj i Nismës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i kërkoi me këtë rast Brukselit që të mbajë fjalën e të heqë vizat për qytetarët e Kosovës. “Për ne shqiptarët është me rëndësi që Bashkimi Evropian të mbajë fjalën dhe të liberalizojë lëvizjen për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jam i bindur se Presidenti i Partisë Socialiste Evropiane ndan të njëjtin qëndrim”, deklaroi kryeministri. Ndërsa Albin Kurti i kërkoi Tiranës që të heqë taksën e Rrugës së Kombit, gjë të cilën nënvizoi se ia kishte thënë edhe Edi Ramës. “Taksa është e shtrenjtë, kosovarët nuk janë të pasur. Është më mirë mirëmbajtja nga taksat e shtetit”, deklaroi Kurti.  Nga ana tjetër, Kreu i shtetit shqiptar, z. Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, ku kanë shkëmbyer mendime për rritjen e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë. Në një njoftim në Facebook, Presidenti Meta thotë se kanë ndarë të njëjtën bindje se Rruga e Kombit është investimi më madhor që kanë bërë dy vendet tona, e cila ka ndihmuar ndjeshëm rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve dhe qytetarëve tanë. “Mirëmbajtja dhe rritja e standardeve të lëvizjes dhe sigurisë është shumë e rëndësishme, por çdo vendim në këtë drejtim duhet të jetë i mirëstudiuar dhe i konsultuar, në mënyrë që ky korridor kombëtar jetik të gjenerojë edhe më shumë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët tanë”, ka shkruar Meta në FB.

Advertisements