Breaking News

Moska dëbon më shumë diplomatë britanikë

Rusia i ka kërkuar largimin nga vendi mëse 50 zyrtarëve britanikë, teksa thellohet më tej kriza diplomatike mbi helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

 Moska fillimisht dëboi 23 diplomatë britanikë, si kundërpërgjigje e njëjtë për përjashtimin e 23 zyrtarëve rusë nga Londra. Por tashmë, Kremlini zyrtar këmbëngul se më shumë britanikë duhet të largohen, në mënyrë që misionet diplomatike në të dy vendet të jenë të të njëjtës madhësi. Ka qenë Ministria e Jashtme ruse ajo që ka komunikuar këtë lajm dhe i ka dhënë 1 muaj ambasadorit britanik Laurie Bristow për të reduktuar misionin diplomatik. Londra e ka konsideruar si për të ardhur keq përgjigjen e Moskës, edhe pse zëdhënësja e Zyrës së Jashtme britanike deklaroi se një hakmarrje e tillë ishte mëse e pritshme nisur nga sjelljet e mëparshme të Rusisë. Sulmi me agjent kimik i 4 marsit ndaj ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia nxiti përjashtimin e rreth 150 diplomatëve rusë nga vendet perëndimore, të cilat kanë fajësuar Moskën si përgjegjëse, por Rusia ka mohuar përfshirjen e saj në këtë çështje. Më herët gjatë kësaj jave, Rusia ka dëbuar 60 diplomatë të SHBA-së dhe ka mbyllur konsullatën amerikane në Shën Petersburg.

Advertisements