Breaking News

Veprimet hakmarrëse të Moskës kundër Uashingtonit, tensionim akoma më i madh i marrëdhënieve

Ditën e enjte ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov njoftoi hakmarrjen e Rusisë ndaj vendimit të perëndimit për dëbimin e diplomatëve rusë nga vendet perëndimore.

Rusia padyshim që do të hakmerret për dëbimet e diplomatëve rusë nga vende të shumta të Evropës, por këtë do ta bëjë në kohën e duhur. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov. Ai nuk siguroi më shumë detaje mbi natyrën e kundërpërgjigjes së Rusisë, por pohoi se hakmarrja do të përkojë me interesat kombëtare të vendit.  Lavrov gjithashtu shprehu besimin se shtetet që kanë përjashtuar diplomatët rusë, do të rishikojnë informacionet të cilat Britania pretendon se janë provë e përfshirjes së Rusisë në helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal. Një deklaratë me tone të ashpra ka lëshuar edhe Ministria e Jashtme ruse.  Zyra e diplomacisë së Moskës i ka kërkuar Londrës të vërtetojë se nuk kanë qenë spiunët britanikë ata të cilët kanë helmuar Skripal. Ministria e Jashtme deklaroi se në mungesë të një prove të tillë, incidenti do të konsiderohet si një përpjekje kundër jetës së qytetarëve rusë dhe provokim masiv politik.  Nuk ka vonuar hakmarrja e Rusisë, pas solidarizimit të Perëndimit me Britaninë e Madhe, në dëbimin e diplomatëve rusë, si kundërpërgjigje për implikimin e Moskës në helmimin e një ish spiuni në Mbretërinë e Bashkuar. Kremlini njoftoi të enjten dëbimin e 150 diplomatëve perëndimorë dhe mbylljen e Konsullatës Amerikane në Shën Peterburg. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov deklaroi se kishte lajmëruar ambasadorin e SHBA-ve për largimin e 60 diplomatëve nga Rusia, po aq sa dëboi Uashingtoni, i cili mbylli edhe Konsullatën Ruse në Siatëll. Menjëherë më vonë, 58 diplomatë në Moskë e dy në qytetin e Yekaterinburg u shpallën persona non grata. Sipas Ministrisë së Jashtme, Moska do të kundërpërgjigjet ndaj secilit vend që mori masa kundër saj, duke larguar po aq diplomatë. Më shumë se 20 vende kanë dëbuar përfaqësues të inteligjencës ruse, pasi Britania e Madhe akuzoi haptazi Moskën për përfshirje në helmimin me agjent nervor, të ish spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, në 4 Mars. Fushatës iu bashkua edhe Shqipëria, e cila pasi thirri ambasadorin rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, urdhëroi largimin nga vendi ynë të dy diplomatëve, sekretari i parë i ambasadës, Aleksey Balashov dhe Vladislav Filippov, atashe ushtarak. Ambasadori reagoi pas këtij vendimi dhe kërkoi shpjegime se pse ishin bërë publike, emrat e diplomatëve të dëbuar. Vendimi i Uashingtonit për të dëbuar 60 spiunë të dyshuar rusë, zor se do të dëmtojë spiunazhin rus në SHBA, pasi shumë të tjerë janë infiltruar në kompanitë, shkollat, madje edhe qeverinë amerikane. Kështu janë shprehur për mediat ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë amerikanë, që janë të mendimit se makina e spiunazhit rus nuk ndalet me këto dëbime. Shërbimi sekret i Moskës përdor ende mbulimin e ambasadave apo konsullatave, siç bëjnë SHBA-të. Por, nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, edhe ky vet një ish-agjent i KGB-së, Rusia ka shtuar tej mase burimet e saj. Ekspertët thonë se Rusia rekruton emigrantë, krijon kompani që ofrojnë mbulim për spiunazhin, dërgon agjentë që qëndrojnë për pak kohë në SHBA, rekruton amerikanë dhe penetron në rrjetet kompjuterike. Zyrtarë amerikanë mendojnë se numri më i madh i spiunëve rusë në vend përbëhet nga individë të panjohur, ose ilegalë siç njihen ndryshe, e ky është një problem më vete.

Advertisements