Breaking News

Mbështetje e partive për rastin e Almir Aliut

Javën e shkuar vendosën pankartën në shenjë proteste para kuvendit. Ndërsa për të mërkurën kanë ftuar sërish protestë.

Kjo nismë e aktivistëve e paralajmëruar për 21 mars, mund t’i bashkoj të gjitha partitë shqiptare.

Të paktën kështu bëri të kuptohet deputeti Artan Grubi, i cili sot takoi avokatin e familjes së të ndjerit Almir Aliut.

“Sa i përket protestave të paralajmëruara nëpër rrjetet sociale, unë personalisht jam për të protestuar, jam për të ngritur zërin dhe jam për të marrë pjesë. Besoj që në qoftë se zhvillimet marrin kahjen e duhur atëherë të gjithë ne që kontribuojmë në çfarëdo mënyre, qoftë nëpërmjet këtyre takimeve, qoftë nëpërmjet protestave të gjejmë rehati shpirtërore jo vetëm për Almirin e vogël por për familjen e tij dhe të gjithë neve që jemi të shqetësuar për këtë rast”, tha Artan Grubi, BDI.

Për dallim nga BDI-ja, e cila ende nuk është e vendosur, partitë tjera shqiptare e kanë të qartë .

Të kontaktuar nga TV21, Aleanca për Shqiptarët dhe dy Lëvizjet Besa, thonë se e kanë ndarë mendjen që të rreshtohen pas “Për Almirin”!

Avokati Asmir Alispahiq ishte ftuar nga deputeti Grubi për siç tha, që t’ia shpjegoj detajet e rastit.

Një ndër organizatorët e protestës, aktori, Visar Vishka, iu bën thirrje edhe bashkëqytetarëve maqedonas që të dalin e të protestojnë të mërkurën me qëllim që mos të bëhen ndarje etnike për këtë rast.

“Këtë protestë e bëjnë etnike vet maqedonasit, që nuk na bashkëngjiten në hallin tonë të përbashkët si bashkëqytetarë por, na lënë të vetëm. Ata marrin anën etnike, jo ne. Nuk është edhe aq etnike, sepse këtu janë të përfshirë edhe shqiptarë, që me vendimet e veta e kanë sjellë këtu punën ku është, si dhe prokurorët që është dashur të reagojnë më herët dhe jo tani, e të mundohen ta lajnë veten në këtë mënyrë”, tha Aktivisti-Organizatori i Protestës.
Kryeprokurori Lubomir Joveski tha se vendimi për rikualifikim ishte i drejtë ndërsa akuzoi kolegët shqiptar për anshmëri në rasti Almiri. Xheladin Murati, ishte dikur kryetar i PPD-së, thotë se ka shpjegim për këtë sjellje të kryeprokurorit, të cilin e mban mend nga rasti “afera e armëve ”, ku u burgosen disa fytyra të larta politike të PPD-së.

“Edhe atëherë prokurori i tanishëm, Jovevski ishte shumë kritik dhe shumë i ashpër ndaj shqiptimeve të dënimeve ndaj shqiptarëve. Edhe sot si duket koha nuk ka ndryshuar për të, koha ka ndalur, të njëjtin veprim e hasim edhe në rastin e Almirit të vogël, por edhe në raste të tjera. Edhe pse drejtësia duhet të matet në vagë për të gjithë njësoj, për këtë rast, më tragjikja është rikualifikimi i veprës”, u shpreh Xheladin Murati, Ish kryetar i PPD-së.

Ndryshe, Boban Iliç dhe vëllai i tij Bojan Iliç, që ishin të dyshuarë për veprën penale për vrasje me paramendim, u lanë të lirë pas vendimit të prokurorëve për rikualifikimin e lëndës, në ndeshje në komunikacion me pasojë vdekje.

Advertisements