Breaking News

Ivanov shkel Kushtetutën nëse nuk dekreton ligjin për gjuhët

Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov do të shkelë normat Kushtetuese nëse nuk e nënshkruan aktin për Ligjin e gjuhëve, kështu ka deklaruar kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, pas deklaratës së kreut të shtetit se nuk do ta nënshkruaj aktin e miratimit të ligjit të gjuhëve.

“Nuk kam koment se çfarë do të ndodh nëse ndodh. Neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është i qartë dhe se pas votimit të dytë të ligjit me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve prezent në Parlament, që është rast edhe me ligjin në fjalë, kreu i shtetit është i obliguar që të nënshkruaj aktin e miratimit të ligjit. Në të kundërtën do të shkel normat Kushtetuese”, deklaroi kryeparlamentari Xhaferi pas betimit solemn të anëtarëve të rinj të Këshillit gjyqësor. Sipas kryeparlamentarit, normat e nenit 75 të Kushtetutës janë të qarta. Veto pezullimi nuk mund të aplikohet në ligje të cilat miratohen me dy të tretat e votave, ndërsa veto mund të vendoset vetëm në ligje të cilat miratohen me shumicë të thjeshtë. “Pas votimit të dytë të atij ligji i cili duhet të jetë me shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve, ndërsa në këtë rast, ligji e ka marrë shumicën e kërkuar. Ligji edhe më parë është votuar nga shumica e deputetëve që është e nevojshme sipas normave Kushtetuese. Mbetet që ligji vetëm se të zbatohet sipas obligimeve Kushtetuese”, tha Xhaferi. Kreu i shtetit Ivanov, deklaroi pas miratimit të ligjit se nuk do ta dekretojë atë, pasi që sipas tij një gjë të tillë nuk ia lejon Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë.

Advertisements