Breaking News

Gjermania ndërmjetëson negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një delegacion të kryesuar nga Klaus Toepfer, ish-ministër gjerman i Ambientit, i cili është caktuar ndërmjetësues nga Qeveria Gjermane në zgjidhjen e problemit për çështjen e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ish-ministrin gjerman për angazhimin e tij në këtë çështje, duke premtuar për një bashkëpunim lidhur me këtë. Haradinaj ka siguruar se Qeveria që ai drejton do të angazhohet për zgjidhjen e problemit të energjisë, duke potencuar faktin se ky problem shkakton edhe shumë probleme tjera në jetën e secilit, por edhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit. Ai kërkoi nga pala ndërkombëtare, por edhe nga Qeveria e Serbisë implementimin e marrëveshjes së Brukselit për Energji, e cila paraqet zgjidhje përfundimtare të problemeve të energjisë. Sidoqoftë, rreth mosmarrëveshjes së fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e energjisë, e cila është negociuar në Bruksel e që ka që kohë nuk po implementohet nga Beogradi, janë marrë edhe mediet relevante botërore. Përveç Kosovës, e cila i humb 17 milionë euro në vit, qytetarëve të vendeve të BE-së kjo po u kushton në një mënyrë tjetër, duke u shkaktuar telashe me matjen e kohës, respektivisht vonesa në punë për 6 minuta. Ndërkaq, shumë orë digjitale në 25 shtete të Evropës janë devijuar që prej mesit të muajit janar. E gjitha kjo për shkak të kësaj çështjeje konfliktuoze që ka ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë në rrjetin e energjisë elektrike. Sipas Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSOE) shumë orë të brendshme në radio, furra dhe orët e alarmit që punojnë në rrjetin elektrik, kanë devijuar dhe kanë kaluar deri në gjashtë minuta prapa, për shkak të konfliktit në rrjetin energjetik mes Kosovës dhe Serbisë.

Advertisements