Breaking News

Kapet sasi rekord e kokainës në Shqipëri: 613 kg e ardhur nga Kolumbia. Vlera 180 milionë euro

Një sasi rekord kokaine, plot 613 kilogramë, më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri, u zbulua në Portin e Durrësit.  Droga me vlerë tregu 180 milionë euro e ardhur nga Kolumbia, ishte e fshehur në një kontenier me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane, dhe kishte destinacion tregun europian.

Por ndërsa ngarkesa i shpëtoi kontrollit të skanerit, mësohet se një institim i hetimit doganor bëri që të zbuloheshin pakot në fundin e kontenerit të modifikuar për këtë qëllim. Lënda narkotike hyri në Shqipëri për llogari të "Arbri Garden" SHPK, një kompani shqiptare që merret me importin e frutave nga Amerika Latine. Ky biznes është në pronësi të Arbër Çekaj personi ky që tashmë është shpallur në kërkim nga policia. Në pranga ka rënë  shoferi i kamionit Armando Pezaku si dhe menaxheri  i kompanisë, Donaldo Lushaj.

Operacioni u kodua “Last Snow”.

Droga prej nje jave ne kalaten e portit

Droga mbërriti në port më 19 shkurt ndërsa operacioni u ndërmor mbrëmjen e 27 shkurtit. Drejtori i Policisë së Shtetit doli sot paradite në një konferencë për median bashkë me prokurorët për të dhënë detaje mbi operacionin.

Ardi Veliu: Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018. Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.

Ku ishte fshehur kokaina?

Kokaina ishte fshehur mes një dyshemeje të dyfishtë. Ajo ishte paketuar në 528 pako që mbanin edhe kodet përkatëse me numra dhe me germa.  Kodet ishin vendosura nga trafikantët.

Droga u zbulua me anë të qenit anti-drogë.

Skaneri nuk e kapi drogen, si u zbulua

Kamioni u mbajt në vëzhgim dhe u la të shkonte drejt magazinës.  Burime të Ora News bëjnë të ditur se sasia e drogës u kap me analizë risku nga hetimi doganor. Skaneri nuk kishte konstatuar gjë. Ekspertët e grupit hetimor kanë boshatisur konteinerin dhe kanë shpuar dyshemenë. Aty kanë konstatuar kokainën.

Ardi Veliu: “Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.  Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike” informon kreu i policise se shtetit

GPS spiunHetimet kanë nisur një muaj më parë dhe dyshohet se kamionit i është vendosur fshehurazi pajisje GPS. Me pajisjen e GPS dyshohet se prokuroria e policia kanë ndjekur lëvizjen e mjetit.  Gjatë marrjes në pyetje  shoferi i kamionit që ka mohuar dijeninë mbi ngarkesën e lëndës narkotike.

Kontrolle ne magazinat e Maminasit

Operacioni nisi në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.   Policia ka ushtruar kontrolle dhe në magazinat e kompanisë importuese të bananeve, “Arbi Garden” në Maminas.

Informacionet nga Gjermania

Prokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj   tha se  operacioni është ende në vijim, për të  zbuluar personat e tjerë të përfshire në këtë trafik. Pa pranuar te jape detaje nësë ishte një operacion me hetim apo një kapje rastësore.

Gazetaret informuan se Prokurori kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizëm, Federico Cafiero De Rahoi cili vizitoi Tiranën të hënën e 26 shkurtit 2018 ka koordinuar veprimet.

Burime nga sektori i anti-drogës bëjnë të ditur se operacioni për sekuestrimin e drogës u bë pas një hetimi në rrugë operative mbi trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërsa informacionet kishin ardhur edhe nga Gjermania.

Te arrestuarit

Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:- Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;- Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.Ne kerkim-Shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

Xhafaj komenton operacionin

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj komentoi superaksionin ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës e kapur ndonjëherë në Shqipëri: 613 kg kokainë.

“Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja.Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës!Hetimi vazhdon!Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron. Pas pak detajet nga policia e shtetit në një konferencë për shtyp.”

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.

Advertisements