Breaking News

SHBA fitojnë miliarda nga shitja e armëve evropianëve

Sipas një raporti, Shtetet e Bashkuara po bëjnë miliarda dollarë nga shitja e armëve amerikane në vendet evropiane duke rritur spektrin e agresionit rus.

Dërgesat e armëve janë pjesë e planeve më të gjera të administratës së Donald Trump për t’u përballur me Rusinë në rajon, njoftoi CNN të shtunën. Departamenti i Shtetit lëshoi të mërkurën miratimin për një shitje potenciale të sistemit raketor Patriot, duke përfshirë rreth 100 raketa, në Suedi. Sistemi është projektuar për të kapur raketat balistike me rreze të shkurtra dhe të mesme veprimi, si dhe dronët. Një zyrtar ushtarak amerikan me seli në Evropë tha se vendosja e raketave  ruse Iskander në Kaliningrad ishte “masa më e madhe që ne kemi parë” në lidhje me përpjekjet e Rusisë për të militarizuar rajonin e Baltikut. “Ata gjithmonë kanë pasur raketa balistike atje, por ky lloj raketash ka një rreze veprimi dukshëm më të madhe se raketat që ishin dislokuar më parë atje”, tha zyrtari amerikan në një intervistë me CNN. Ai pretendoi se raketat ruse mund të kërcënonin pjesë të Polonisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Gjermanisë dhe Suedisë. ” Shitjet e armëve amerikane në Evropë janë një përgjigje jo vetëm për aktivitetin ushtarak në rritje të Rusisë, por edhe për faktin se Rusia po modernizon Forcën e saj Ajrore dhe aftësitë për sulme me rreze të gjatë”, tha për CNN, Magnus Nordenman, drejtor i Iniciativës së Sigurisë Transatlantike në Këshillin e  Atlantikut me bazë në Uashington. Shtetet e Bashkuara i kanë inkurajuar aleatët e saj në rajon që të blejnë armatime amerikane për të luftuar raketat ruse. Në nëntor 2017, Departamenti i Shtetit autorizoi shitjen e sistemeve raketore Patriot në Poloni me vlerë 10.5 miliard $. Megjithatë, zyrtarët polakë protestuan kundër çmimeve të larta. Muajin e kaluar, Ministri i Mbrojtjes i Polonisë Mariusz Błaszczak tha se qeveria e tij kishte rinegociuar një çmim më të ulët si dhe për të shpejtuar kohën e dorëzimit të sistemit raketor. Edhe zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence, ka thënë se tre shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë përballen me spektrin e agresionit nga Rusia. Në korrik 2017, SHBA-të vendosën sistemin e raketave Patriot në Lituani për t’u përdorur në stërvitjet ushtarake të NATO-s. Kjo ishte hera e parë që raketat e përparuara u dërguan në vendet baltike pranë kufirit rus. Lituania, Letonia dhe Estonia kanë vetëm raketa anti-ajrore me rreze të shkurtër, duke e lënë kryesisht të pambrojtur hapësirën ajrore në rast të luftimeve. Shtetet Baltike kanë shprehur shqetësimin për dobësinë e tyre të mbrojtjes ajrore përballë epërsisë ajrore ruse. Sidoqoftë, nga të gjitha këto zhvillime, është e qartë se i fituari kryesor është struktura madhore e industrisë ushtarake të SHBA.

Advertisements