Breaking News

Strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor

Secili prej 6 vendeve të Ballkanit do ta ketë të pamundur integrimin në BE, nëse nuk ka forcuar shtetin ligjor dhe nuk ka zgjidhur njëherë e mirë problemet me fqinjët.

Në atë që BE-ja e quan si një perspektivë të besueshme zgjerimi për rajonin, theksohet se shtetet ballkanike duhet të zhdukin elementët e kapjes së shtetit, lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhe përzierjen e interesave private me ato publike. Kërkohet gjyqësor i fuqizuar dukshëm dhe i pavarur, e thelbësor konsiderohet funksionimi i strukturave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dialogu politik në Parlament vlerësohet i domosdoshëm. Në këtë kontekst theksohet nevoja, që “qeveria t’i sigurojë opozitës mundësinë për të bërë plotësisht rolin e saj dhe që opozita të përfshihet në proceset demokratike në mënyrë konstruktive. Zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme”. Një kërkesë e detyrueshme e BE-së është pajtimi dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë, pasi unioni nuk do të pranojë të importojë mosmarrëveshje dhe paqëndrueshmëri brenda vetes. Veçanërisht sinjali bëhet i qartë për Serbinë dhe Kosovën. “Zgjidhjet përfundimtare dhe detyruese duhet të gjenden dhe zbatohen para se një vend të anëtarësohet”, thuhet në strategji, ndërsa udhëheqësit e rajonit nuk duhet të lënë asnjë dyshim, që orientimi i tyre strategjik është BE-ja. Katër fushat e tjera, ku unioni dhe Ballkani lidhen në këtë udhërrëfyes integrimi, janë Siguria dhe migracioni, Zhvillimi social-ekonomik, Transporti dhe ndërlidhja e energjisë, si dhe Agjenda dixhitale. Viti 2025 u vendos në strategji jo si nja afat zyrtar, por si një perspektivë ambicioze që kërkon mund dhe përkushtim. Prej 15 vjetësh vendeve të Ballkanit Perëndimor iu ofrua pranimi në familjen e BE-së. Por për momentin kjo është një dilemë e vërtetë. Objektivisht, gjashtë kandidatët evropianë në dhomën e pritjes së BE-së janë shumë larg nga standardet e Brukselit. Fakt është që po ta shohësh ditën Ballkani Perëndimor është në pothuajse çdo aspekt një çmenduri – të paktën nga perspektiva e Brukselit. Marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën i ngjajnë një lufte të ftohtë. Në Republikën Srbska, Beogradi ndërhyn thuajse sheshit duke destabilizuar një shtet që është më i brishti në rajon, Bosnje dhe Hercegovinë. Maqedonia po grindet me Greqinë për emrin dhe në pothuajse të gjitha republikat e Ballkanit, nacionalizmi dhe korrupsioni lulëzojnë. Dhe pikërisht aty BE-ja dëshiron që brenda pak vitesh të valëvitet flamuri evropian. Kjo mund të quhet një ambicie mjaft e guximshme. Por përpjekjet integruese të BE-së për fqinjët e saj të këqinj nga Evropa Juglindore po bëhen në mes të krizës. Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakët kanë formuar prej shumë kohësh  brenda BE-së një grup kundër Bruksel. Ata kanë gjithashtu rritje të fortë ekonomike, gjë që nuk mund të thuhet për vendet e reja në jug. Integrimi, megjithatë, ka të bëjë shumë me konvergjencën ekonomike. “Projekti gjashtë anëtarë të rinj të familjes së BE-së” pra mbetet një iluzion – për momentin.

Advertisements