Breaking News

Irani nuk do të bjerë në kurthin e SHBA

Zëvendësministri i Jashtëm iranian z. Abas Erakçi deklaroi se SHBA po përpiqet ta detyrojë Iranin të dalë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me grupin G5 + 1, duke shtuar: “Por ne nuk do të biem në kurthin e SHBA”.

Në një intervistë të botuar nga gazeta italiane ‘La Repubblica’, zyrtari i lartë iranian e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të humbasin të gjithë kredibilitetin e tyre ndërkombëtar në qoftë se largohen nga marrëveshja bërthamore. Ai tha se nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane dështojnë të respektojnë angazhimet e tyre në kuadër të marrëveshjes bërthamore me Iranin, Koreja e Veriut nuk do të shohë asnjë arsye për negociata. Në përgjigje të një pyetjeje mbi politikat shantazhiste amerikane kundrejt Iranit dhe instrumenteve të shumta që Uashingtoni mund të përdorë për të bllokuar marrëdhëniet Iran-BE dhe për të parandaluar investimet në Iran, Erakçi tha: “Marrëveshja bërthamore nuk është e rëndësishme vetëm nga këndvështrimi ekonomik… Një element i rëndësishëm i marrëveshjes është veprimi ynë i përbashkët për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore. Ne kemi zgjidhur paqësisht një krizë të vështirë bërthamore. Nëse kriza do të rifillojë sërish, do të ketë pasoja negative për regjimin e mospërhapjes së armëve atomike, i cili është i rëndësishëm për të gjithë botën “. Megjithatë, zëvendësministri i jashtëm iranian tha se Irani është plotësisht i angazhuar për të ruajtur marrëveshjen, por pala tjetër duhet të bëjë të njëjtën gjë. Vendet evropiane duhet të kenë kujdes që ta shpëtojnë marrëveshjen së pari në Teheran dhe pastaj në Uashington, tha Erakçi.

Advertisements