Breaking News

Arrihet marrëveshja për buxhetin e qeverisë federale të SHBA

Një ditë përpara një rreziku të ri për mbylljen e qeverisë amerikane, udhëheqësit e Senatit arritën të mërkurën një marrëveshje dypalëshe që do ta mbajë qeverinë federale të financuar për dy vjet.

Por për tema të debatueshme, sikurse emigracioni nuk ka ende një marrëveshje. “Jam i kënaqur të njoftoj se negociatat dypalëshe lidhur me shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe prioritete të tjera, prodhuan një marrëveshje të rëndësishme”, tha në Senat kreu i shumicës republikane, Mitch McConnell. “U bashkuam për një marrëveshje që është shumë e mirë për popullin amerikan” tha udhëheqësi i pakicës demokrate Chuck Schumer. Paketa pritet të rrisë shpenzimet e qeverisë amerikane për mbrojtjen kombëtare dhe programet e brendshme, me 300 miliardë dollarë gjatë një periudhe dyvjeçare, duke i dhënë fund viteve me kufizime të detyrueshme buxhetore, që sipas republikanëve, po e tkurrnin ushtrinë amerikane, ndërsa për demokratët, po dëmtonin njerëzit në nevojë. Marrëveshja erdhi në momentet e fundit, ndërsa financimi federal për qeverinë skadonte në mesnatën e së enjtes. Nëse financimi nuk zgjatej, qeveria amerikane do të kishte pësuar mbylljen e dytë të pjesshme brenda një periudhe të shkurtër. Për t’u bërë ligj, paketa duhet të miratohet nga të dyja dhomat e Kongresit dhe të nënshkruhet nga Presidenti Donald Trump. Demokratët bllokuan një projektligj të përkohshëm për shpenzimet në janar, duke shkaktuar një mbyllje të qeverisë federale për tre ditë, që lidhej pjesërisht me kundërshtimin e tyre ndaj mosveprimit të Kongresit në lidhje me programin DACA, që pritet të përfundojë më 5 mars. Presidenti ka thënë se mbështet rrugën drejt shtetësisë për 1.8 milionë të rinj që përfitojnë nga programi DACA, pjesë e një pakete më të madhe të reformës së imigracionit. Shtëpia e Bardhë kërkon gjithashtu fonde për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, reduktim të emigracionit të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë përparësi që të vijnë në Amerikë njerëz më të kualifikuar.

Advertisements