Breaking News

Vizita e Barnier në Londër

Kryenegociatori i lartë i BE për çështjen e Brexit, ka shkuar në Londër për të analizuar dhe diskutuar procesin e largimit të Anglisë nga unioni. Gjatë vizitës në Londër, kryenegociatori evropian u takua dhe bisedoi me Theresa May kryeministër dhe David Davis ministri britanik për Brexit.

Ky nuk është momenti për t’u humbur, nëse Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian synojnë realisht arritjen e një marrëveshjeje për “Brexit”. Kjo është deklarata e kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier, dhënë përpara bisedimeve me Theresa Mayn dhe David Davis në Londër. Ai shtoi gjithashtu se, personalisht i respekton “vijat e kuqe” të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe rregullat e BE-së duhen respektuar njëkohësisht. Mes pretendimeve për mungesë uniteti brenda konservatorëve, “Doëning Street” kishte këmbëngulur më herët se Britania nuk do të jetë në të njëjtin union doganor me BE-në. May përballet ende me thirrjet për të zbuluar më shumë detaje të asaj se çfarë kërkon nga bisedimet, përpara shkëputjes së Britanisë nga blloku europian në mars të vitit 2019. Kryeministrja dhe Sekretari për “Brexit”-in, David Davis janë duke u takuar me Barnierin përpara zhvillimit të raundit të ardhshëm të negociatave. Bisedimet e kësaj jave mes zyrtarëve do të fokusohen për herë të parë në periudhën e “tranzicionit”, që pritet të zgjasë nga 18 muaj deri në 2 vite, me kërkesat respektive të palëve pas zyrtarizimit të “Brexit” më 29 mars të vitit 2019. Çështjet kyçe duket se përfshijnë të drejtat e europianëve, me Britaninë që këmbëngul se shtetasit e BE-së që do të mbërrijnë në ishull gjatë kësaj periudhe nuk duhet të kenë të njëjtat privilegje, si ata që kanë mbërritur përpara ditës së “Brexit”-it. Por, përpara se të nisej për në Londër, Barnier theksoi se “koha” është thelbi i gjithçkaje. “Kemi shumë punë përpara, kështu që për këtë arsye kemi vendosur të përshpejtojmë kontaktet”, tha ai. “Ne duam të arrijmë një marrëveshje, të respektojmë udhëzimet e Këshillit të BE-së, si dhe rregullat e tregut të përbashkët europian. Kështu që, edhe njëherë mund të them se nuk duhet të humbasim as edhe një minutë”. I pyetur mbi vendimin e Britanisë për të përjashtuar çdo union të përbashkët doganor, ai sugjeroi se ky nuk përbën lajm për të. “Ne duhet të respektojmë ‘vijat e kuqe’ të qeverisë britanike, por edhe ata duhet të respektojnë rregullat e bllokut evropian”. Procesi i Brexit është përballur me pengesa të shumta. Kryeministrja britanike Theresa May tha se qytetarët evropianë që mbërrijnë në Britani gjatë periudhës së tranzicionit “post Brexit”, nuk do të kenë të drejta të njëjta me ata që kanë mbërritur më herët. Sipas Brukselit, në periudhën e tranzicionit – që llogaritet nga 29 marsi 2019 deri më 31 dhjetor 2020, – duhet ruajtur “status quo”-ja që përfshin lirinë e lëvizjes dhe të njëjtat të drejta për qytetarët evropianë që shkojnë në Britani gjatë kësaj kohe. Por sipas May-it, e cituar nga gazeta “The Guardian”, për ata që kanë ardhur më vonë mund të ketë më pak përfitime, si për shembull qasje të kufizuar për shërbimet sociale, por edhe detyrim për nxjerrje leje pune dhe regjistrim në mbërritje. May nënvizoi se duhet të ketë patjetër ndryshim, mes atyre që kanë ardhur më herët dhe atyre që vijnë kur e dinë që Britania po largohet nga BE-ja. Një nga pikat e panegociueshme të BE-së janë të drejtat e qytetarëve që nuk duhet të ndryshojnë, pavarësisht “Brexit”-it, e Brukseli priste pikërisht këtë nga Londra. Por duket se kryeministrja May ka ndryshuar njëanshmërisht qëndrimin e saj, duke i hapur rrugën përplasjeve të reja me BE-në.

Advertisements