Breaking News

Shtohen humbjet e Turqisë në Afrin

Statistikat e publikuara për përfshirjen e vazhdueshme të ushtrisë turke në luftimet në zonat kurde të Sirisë veriore tregojnë për rritjen e viktimave të forcave turke.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke publikoi sot (e hënë – 5 shkurt) një deklaratë duke njoftuar se numri i militantëve kurdë të vrarë në Sirinë veriore u rrit gjatë 16 ditëve të fundit në 947. Ministri turk i Mbrojtjes, Nurettin Canikli, njoftoi se pesë ushtarë turq dhe 24 militantë aleatë nga e ashtuquajtura Ushtria e Lirë Siriane (FSA) janë vrarë në ofensivën e ushtrisë turke në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Afrin, në luftimet kundër Njësive të Mbrojtjes së Popullit kurd (YPG). Të enjten e kaluar, militantët kurdë pjesëtarë të “Forcave Demokratike Siriane” i deklaruan agjencisë ruse të lajmeve, Sputnik, se të paktën 20 ushtarë turq u vranë prej tyre në sulmet kundër trupave turke dhe forcave të përkrahura nga  Ankaraja. Rezistenca kurde është ashpërsuar dhe të shtunën forcat ushtarake turke pësuan humbjet më të mëdha që nga fillimi i ofensivës në Sirinë veriore me 7 ushtarë të vrarë brenda ditës. Kryeministri turk Binali Yildirim u zotua t’i bëjë paraushtarakët kurdë “t’i paguajnë dyfish më shtrenjtë” humbjet e trupave të Ankarasë. Pas deklaratës së tij, avionët turq bombarduan egërsisht shënjestrat kurde në verilindje të Afrinit. Operacioni turk “dega e ullirit” nisi në 20 janar me objektiv kryesor dëbimin e njësive kurdë të mbrojtjes YPG-së nga zona e Afrinit. Ndërkohë, mësohet se Qeveria turke deri tani ka arrestuar rreth 600 njerëz të akuzuar për përdorimin e mediave sociale për të protestuar ndaj ofensivës ushtarake turke kundër militantëve kurdë të mbështetur nga SHBA në Siri. Ministria e Brendshme e Turqisë tha në një deklaratë të hënën se 573 persona u arrestuan pas ofensivës, të quajtur Operacioni Dega e Ullirit, kundër Njësive Mbrojtëse të Popullit Kurd (YPG) në rajonin veriperëndimor të Sirisë. “Që nga fillimi i Operacionit Dega e Ullirit, 449 persona janë arrestuar për përhapjen e propagandës terroriste në mediat sociale dhe 124 persona janë paraburgosur për pjesëmarrje në protesta kundër operacionit”, thuhet në deklaratë. Ankaraja ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se do të ndjekë penalisht ata që kundërshtojnë, kritikojnë ose keqinterpretojnë  ofensivën ushtarake, me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan që i ka denoncuar kundërshtarët e inkursionit ndërkufitar si “tradhtarë”. Autoritetet kurdë në Afrin kanë bërë thirrje për fuqitë globale për të ndalur sulmin e Turqisë në rajon, ndërsa mijëra njerëz kanë protestuar në rrugë në qytetin sirian Afrin, duke dënuar inkursionin e Ankarasë. “Ne kërkojmë që Federata Ruse në veçanti të anulojë mbështetjen e saj për terrorizmin e shtetit turk kundër popullit të Afrinit”, deklaroi administrata lokale e Afrin, rajon gjysmë-autonom që nga viti 2013, në një deklaratë të lëshuar të hënën. “Rusia mban përgjegjësi për masakrat që shteti fashist turk po kryen kundër civilëve të pafajshëm”, shtoi ajo. Deklarata iu referua lëvizjes së Rusisë për tërheqjen e trupave të saj të vendosura në Afrin kur Turqia filloi sulmin e saj. Administrata lokale e Afrin gjithashtu i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, BE-së, Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe koalicionit të udhëhequr nga SHBA që “të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar agresionin e Turqisë”.

Advertisements