Breaking News

Kërkohet pezullimi i Arabisë Saudite nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Dy avokatë britanikë për të drejtat e njeriut kanë njoftuar planin e tyre për të ndjekur pezullimin e Arabisë Saudite nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pasi 61 persona u arrestuan në mënyrë arbitrare ose u zhdukën në një valë të reprezaljeve të regjimit të Riadit ndaj lirive publike.

Siç njofton agjencia e lajmeve IRNA, në një deklaratë të martën, avokatët Ken Macdonald dhe Rodney Dixon njoftuan se do të paraqesin raportin e tyre në Këshillin në Gjenevë të mërkurën, duke theksuar se arrestimet e kryera në shtator 2017 ishin “në kundërshtim me dispozitat e ligjit saudit dhe atij ndërkombëtar”. Raporti ka akuzuar zyrtarët sauditë për “shtypjen e aktivistëve të të drejtave të njeriut, disidentëve politikë dhe të tjerëve vetëm se kanë ushtruar të drejtën e tyre për të folur lirshëm”. Arrestimet janë “pjesë e një modeli të abuzimit të vazhdueshëm, sistematik dhe afatgjatë” nga regjimi i Riadit, thuhet në deklaratë. Raporti thekson se autoritetet saudite filluan valën e arrestimeve më 10 shtator duke arrestuar klerikë të shquar, duke përfshirë Salman al-Awdah dhe Awad al-Karni, duke vënë në dukje, se “ka raporte të besueshme për keqtrajtime dhe tortura gjatë paraburgimit të tyre”. Edhe Amnesty International ka deklaruar se situata e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite është “përkeqësuar ndjeshëm” që kur Muhamed bin Salman mori pushtetin si princ i kurorës në qershor 2017.

Advertisements