Breaking News

Turqia emëron guvernator dhe komandant të sigurisë në veri të Sirisë!

Ministri i Brendshëm turk njoftoi emërimin e një guvernatori dhe komandanti të sigurisë për tre qytete në Sirinë veriore.

Sulejman Sojlu, ministri i Brendshëm turk, në një tubim të partisë Drejtësi dhe Zhvillim në qytetin Denizli, tha se Turqia ka emëruar guvernatorë dhe komandantë të sigurisë për qytetet Azaza, Xharabulus dhe Mare në Sirinë veriore. Megjithatë, ky zyrtar turk tha: “Ne nuk kemi asnjë pretendim mbi territorin e ndonjë vendi”. Ndërkohë, qeveria siriane ka kritikuar operacionin ushtarak të Turqisë në qytetin Afrin dhe dënoi shkeljen e integritetit territorial të Sirisë. Ky veprim i Turqisë është një shkelje flagrante e sovranitetit të qeverisë siriane, ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Ky veprim jo vetëm që nuk do të ndihmojë në reduktimin e krizës në Sirinë veriore dhe në vendosjen e stabilitetit në këtë zonë, por do të krijojë gjithashtu një konflikt dhe divergjencë midis qeverisë siriane dhe Turqisë mbi çështjet e rajoneve veriore të Sirisë. Forcat qeveritare turke kanë nisur operacione në Siri me pretekstin e luftimit të terrorizmit. Ky veprim i ndërmarrë nga Turqia është pranuar nga ligji ndërkombëtar brenda kuadrit të disa kornizave ligjore. Por emërimi i guvernatorit dhe komandantit të sigurisë në zonat veriore të Sirisë do të thotë zhdukje e sovranitetit të një pjese të territorit sirian. Ky territor  është nën juridiksionin dhe dispozicionin e qeverisë siriane dhe madje hyrja e trupave turke në këtë rajon pa ndonjë leje nga qeveria siriane nënkupton shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Nëse Turqia vazhdon me të tilla veprime, kjo mund të interpretohet si përpjekje për të pushtuar Sirinë, e cila nuk pranohet nga asnjë vend fqinj i Turqisë dhe as nga ligjet ndërkombëtare dhe në të ardhmen mund ta shndërrojë  Turqinë në një shtet të rrezikshëm dhe destabilizues për të gjithë fqinjët. Robert Fisk, një analist i çështjeve të Lindjes së Mesme, duke e quajtur okupim sulmin ushtarak turk në veri të Sirisë, shkruan:” Ajo që po ndodh në Sirinë veriore është një agresion i qartë, që injoron parimet më themelore të së drejtës ndërkombëtare. Edhe pse Turqia i ka quajtur veprimet e saj si një ‘degë ulliri’, ajo që po ndodh në realitet është pushtimi i territorit të Sirisë dhe vrasja e verbër e civilëve sirianë. ” Qeveria turke duhet të kontrollojë objektivat e saj në operacionin në Siri, sepse lufta kundër terrorizmit nuk mund të justifikojë shkeljen e sovranitetit të qeverisë siriane dhe masakrimin e qytetarëve të saj.

Advertisements