Breaking News

Një vit më pas, politika e Trumpit në Lindjen e Mesme po rrënohet

Tri nga katër iniciativat kryesore të presidentit Trump në rajonin më të paqëndrueshëm të botës po dështojnë.

*Robin Wright Majin e kaluar, gjatë një dreke pune me presidentin palestinez, Mahmud Abas, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump premtoi të ndërmjetësojë fazën përfundimtare e të vështirë për t’u arritur të procesit të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve. “Është diçka, sinqerisht, ndoshta jo aq e vështirë sa njerëzit kanë menduar gjatë viteve”, është shprehur presidenti i ri. Trump tha se administrata e tij kishte “një shans shumë, shumë të mirë” për ta realizuar atë. “Dhe unë mendoj se ju ndjeheni në të njëjtën mënyrë” - i tha ai Abasit. Udhëheqësi palestinez u përgjigj: “Ne kemi shpresë”. Ai e vlerësoi Trumpin për “udhëheqjen e tij të guximshme, urtësinë dhe aftësinë e tij negociuese”. Ndërsa Trump shënon një vit në detyrë, politika e tij e jashtme ambicioze në rajonin më të trazuar të botës është leckosur. Zëvendëspresidenti Mike Pence arrin në Lindjen e Mesme këtë fundjavë, me ndalesa në Egjipt, Jordani dhe Izrael, mes zemërimit në rritje në administratën Trump, për premtimet e mbajtura të së cilës mund të flitet fare pak dhe pothuajse asnjë perspektivë përparimi në të ardhmen e afërt, në një kohë kur ajo arrin të thithë angazhime ushtarake më afatgjata për të ruajtur ato pak fitime të saj. Abas, i cili e ka vënë karrierën e tij politike në bërje paqe me Izraelin, ka refuzuar madje ta shohë Pence-n.

Procesi i paqes arabo-izraelite, nisma më e fuqishme e presidentit, u rrënua muajin e kaluar, pasi Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe u zotua të transferojë ambasadën e Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi. “Sot është dita kur marrin fund Marrëveshjet e Oslos”, u shpreh i zemëruar Mahmud Abas në një fjalim dyorësh më 14 janar. “Ne nuk do të pranojmë që Shtetet e Bashkuara të jenë ndërmjetës, sepse pas asaj që ata na kanë bërë, një besimtar nuk mund të kafshohet dy herë në të njëjtin vend.” Ajo që ishte premtuar si “marrëveshja e shekullit” – tha ai – u kthye në “shuplakën e shekullit”.

Trump kishte katër qëllime në Lindjen e Mesme kur ai hyri në zyrë, duke filluar me aktivizimin e procesit të paqes. I dyti ishte përfundimi i luftës kundër “Shtetit Islamik” të nisur nga paraardhësi i tij në vitin 2014. I treti ishte frenimi i ndikimit të Iranit në rajon dhe arritja e koncesioneve të reja në lidhje me programin e tij bërthamor. I katërti ishte thellimi i mbështetjes ndaj lloji të veçantë udhëheqësish arabë, veçanërisht presidentit të Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi dhe familjes mbretërore saudite. “Ne duhet të kërkojmë partnerë, jo përsosmëri” – tha Trump në një fjalim në Riad, në stacionin e parë të turit të tij të parë të jashtëm si president.

Paul Salem, zëvendëspresident në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington dhe biri i një ish-ministri të jashtëm libanez, i jep Trumpit notën C, në rastin më të mirë. “Në disa rajone, politika e tij po shkon mirë,” – tha ai. “Lufta ndaj ISIS-it, e filluar në vitet e Obamës, është një sukses i madh. Por në disa zona po shkon në mënyrë të tmerrshme, përfshirë procesin e paqes, i cili është dukshëm më i keq.”

“Problemi i vërtetë” – tha ai – “është se, pas një viti në administratë, ende nuk është e qartë se kush ose çfarë është administrata. Ajo nuk ka konsoliduar vendimmarrjen e saj. Kush është përgjegjës? A flet Tillerson në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara? Apo Kushner? Shumë njerëz në Lindjen e Mesme janë ende të hutuar. Përveç kësaj, presidenti është i ndryshueshëm (si zhivë) dhe i paparashikueshëm. Ai mund të ketë një pikëpamje të hënën dhe një tjetër të martën. Kjo i bën njerëzit në rajon të habiten. Së paku, me Putinin, ti e di se me kë ke të bësh. Ajo që ai thotë të hënën do të mbetet njëlloj të premten.”

Pyetjet nuk kufizohen vetëm në Lindjen e Mesme. Një sondazh i Gallup-it i zhvilluar të enjten raportoi se mosmiratimi global i udhëheqjes amerikane arriti një rekord të lartë në vitin 2017. Ironikisht, mosmiratimi më i lartë i administratës Trump – tetëdhjetë e tre për qind – ishte në Norvegji, një vend që Trump e citoi këtë muaj si një burim të preferuar emigrantësh.

Kundërshtimi ndaj vendimit të Jerusalemit shtrihet gjithashtu përtej Lindjes së Mesme. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara u detyruan të ushtronin veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të bllokuar një rezolutë që kërkonte nga Shtëpia e Bardhë të anulonte vendimin e saj. Katërmbëdhjetë anëtarët e tjerë mbështetën qortimin. Pak ditë më vonë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (nga të gjitha shtetet anëtare) me shumicë dërrmuese e denoncoi vendimin e Trumpit. Votimi ishte njëqind e njëzet e tetë shtete për rezolutën (duke përfshirë të gjithë aleatët e mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përveç Izraelit), vetëm nëntë vota kundër saj (nga lojtarë të margjinalizuar ndërkombëtarë, si Mikronezia, Nauru, Palau dhe Togo). Tridhjetë e pesë vende – shumica e të cilëve pranues të ndihmës së Shteteve të Bashkuara – abstenuan pasi administrata kërcënoi të ndalonte mbështetjen financiare për vendet që votuan për rezolutën.

“Të gjitha këto vende … marrin qindra milionë dollarë, madje edhe miliarda dollarë, dhe pastaj votojnë kundër nesh” – u përgjigj Trump. “Epo, ne po i shikojmë ato vota. Le të votojnë kundër nesh, ne do të kursejmë shumë. Nuk e vrasim mendjen.”

Administrata Trump mburret për fazën përfundimtare të luftës kundër ISIS, por me një kosto të asaj që tani duket të jetë angazhim ushtarak i pafund në Siri. Të premten, Departamenti i Shtetit deklaroi se synon të mbajë rreth 2000 trupa në Siri për të gjetur e ndjekur mbetjet e ISIS, për të siguruar stabilizimin e vendit të shkatërruar nga lufta dhe për të ndihmuar në procesin e tranzicionit politik.

“ISIS është ende i pranishëm. Fushata ushtarake kundër të ashtuquajturit kalifat në Luginën e Eufratit nuk ka përfunduar” – u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. “Ka luftime të rënda. Po ndodh ndërsa flasim.” Disa luftëtarë tani po rigrupohen dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka kryer pesëdhjetë e tre sulme ajrore në Siri këtë javë. “Ata kanë ende potencial më shumë të pengojnë çdo përpjekje për stabilizim dhe shumë më pak për transformim dhe tranzicion politik në Siri” – shtoi zyrtari. “Dhe kështu, disfata e vazhdueshme e kësaj pranie të keqe është një nevojë absolute në Siri, ashtu si në Irak, për çdo progres të ardhshëm.”

Bisedimet e paqes të Kombeve të Bashkuara midis regjimit të Asadit dhe opozitës mbeten të bllokuara shtatë vjet pas shpërthimit të luftës siriane. Uashingtoni ka ndërhyrje të kufizuara diplomatike mbi një çështje të dominuar nga Rusia dhe Irani. Opozita e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është e thyer dhe e paaftë politikisht.

Për sa i përket Iranit, diskursi i ashpër i Trumpit e ka vënë në rrezik marrëveshjen më të rëndësishme që kufizon përhapjen e armëve bërthamore në një çerek shekulli. Marrëveshja e vitit 2015 me gjashtë fuqitë e mëdha të botës, gjithashtu, pati lehtësuar tensionet midis Iranit revolucionar dhe bashkësisë ndërkombëtare. Vendimi i njëanshëm i presidentit për të mos hequr dorë nga sanksionet mbi Iranin, ndryshe nga ç’u premtua në marrëveshje, shton ndasinë me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Këtë muaj, zyrtarë evropianë më thanë se përpjekja e Trumpit për të fundosur marrëveshjen e Iranit po minonte marrëdhëniet transatlantike në zemër të sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Marrëveshja po funksionon, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e ka certifikuar tashmë nëntë herë dhe ajo është thelbësore për sigurinë e Evropës dhe të botës” – tha shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Zyrtarë të tjerë evropianë kanë frikë se strategjia “shko vetëm” e Trumpit mbi armët bërthamore do të rrezikojë Traktatin e Mospërhapjes, i cili ishte themeli i të gjitha përpjekjeve për të frenuar armët bërthamore.

Zgjedhja nga ana e Trumpit e aleatëve arabë, që priren të jenë sundues autokratë, gjithashtu ka alarmuar ekspertët e Lindjes së Mesme dhe grupet e të drejtave të njeriut. Një raport i Human Rights Watch mbi Egjiptin publikoi në shtator tortura kronike që patën arritur përmasa “epidemike”. Javën e kaluar, grupi vuri në dukje se qeveria e El-Sisit “zgjodhi të mbyllë vitin duke kryer ekzekutime pas gjykimeve të padrejta”. Pasi Trump fitoi nominimin republikan, El-Sisi ishte lideri i parë botëror që e telefonoi kandidatin dhe më pastaj që e takoi atë në margjinat e Kombeve të Bashkuara, dy muaj para zgjedhjeve.

Ndërkohë, po injorohen aleatë të vjetër, vende – si Tunizia – që po kalojnë tranzicione të brishta politike. Protestat përfshinë më shumë se 20 qyteza dhe qytete në Tunizi këtë muaj për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, të produkteve ushqimore, të shërbimeve dhe taksave të reja mbi telefonatat, përdorimin e internetit, hotelet dhe importet e mëdha, siç janë makinat. Që nga viti 2011, viti kur filloi Pranvera Arabe – kur një i ri tunizian shitës ambulant i vuri flakën vetes në shenjë proteste kundër korrupsionit, varfërisë dhe padrejtësisë, – çmimet e ushqimeve janë rritur çdo vit pothuajse 8 për qind.

 

Tunizia, gjithashtu, ka filluar të shkurtojë vendet e punës në sektorin publik, në një kohë kur papunësia është tashmë 15 për qind dhe dy herë më e lartë në mesin e të rinjve, përfshirë të diplomuarit universitarë. Gjatë protestave që zgjatën një javë, Tunizia dëshmoi lindjen e një lëvizjeje të re proteste: “Për çfarë po presim?” apo #Fech_Nestannew. Fraza është lyer me bojë në muret publike dhe në gardhet e mbarë vendit dhe është përhapur nëpër mediat sociale.

“Miqtë tanë kurrë nuk do ta vënë në diskutim mbështetjen tonë”, u zotua Trump në fjalimin e tij në Rijad. “Partneritetet tona do ta çojnë përpara sigurinë nëpërmjet stabilitetit, jo nëpërmjet trazirës radikale.” Por vështirësitë ekonomike të Tunizisë pasqyrohen në vende të tjera, nga Maroku dhe Egjipti deri në Jemen e Liban. Vendet që përpiqen të ndërmarrin reforma – për të modernizuar ekonomitë dhe për të tërhequr investitorë të huaj apo huadhënës – përballen me zemërimin në rritje të elektorateve që presin më shumë pas kryengritjeve arabe.

“Reformat janë të mirëseardhura nëse thyejnë status quo-në e vjetër”, më tha Rabah Arezki, kryeekonomisti i Bankës Botërore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. “Por ato nuk sollën këtë lloj përfitimesh, në afatin e shkurtër, në aspektin e asaj që pritej. Dhe ato ngritën koston e jetesës pa ndihmuar apo ndryshuar dinamikat bazë.”

“Kontrata e vjetër sociale, ku vendet e punës janë ofruar për të mbështetur popullsinë, nuk është më e mundur, sepse arkat janë bosh dhe rritja e popullsisë është aq e shpejtë saqë është e pamundur të paguhet për të gjitha këto vende pune publike”, shtoi ai. “Sfidat janë shumë të mëdha dhe rreziku i vazhdimit të dhunës dhe destabilitetit është i lartë.”

Pas vitit të parë të presidentit në detyrë, doktrina Trump përballet me sfida më të frikshme në Lindjen e Mesme sesa kur ai u betua.

 

Analizë e botuar në revistën “The New Yorker” më datë 19 Janar 2018.

 

*Robin Wright është një autore kontribuese për newyorker.com. Ka shkruar për revistën që nga viti 1988. Ajo është autore e librit “Rock the Casbah: Rage and Rebellion Across the Islamic World” (Shkunde Kasbah-në: Zemërimi dhe rebelimi nëpër Botën Islame).

Advertisements