Breaking News

Shtohen ndjenjat anti-amerikane në Turqi

Sondazhet më të fundit të zhvilluara në Turqi tregojnë një rritje të konsiderueshme të ndjenjave anti-amerikane në këtë vend.

Sipas një njoftimi të kanalit BBC, 82% e shtetasve të Turqisë kanë ndjenja anti-amerikane. Sondazhi më i fundit është kryer nga instituti Gallup i cili ka nxjerrë rezultatin se më shumë se 80% e shtetasve të Turqisë janë kundër strategjisë dhe politikave agresive dhe shtypëse të Amerikës. Analizimi i opinionit publik turk lidhur me politikat e Amerikës, ka rëndësi për dy aspekte. Së pari nga aspekti i grushtit të dështuar të shtetit në Turqi. Sa i përket kësaj Amerika në kohën e grushtit të dështuar të shtetit ka mbështetur komplotistët dhe ka strehuar Fetaullah Gylen, kleriku i njohur turk që akuzohet nga qeveria turke si përgjegjës për organizimin e grushtit të shtetit. Pikërisht kjo ka ndikuar negativisht në opinionin që ka populli turk ndaj Amerikës dhe njëkohësisht është bërë shkak për uljen e nivelit të bashkëpunimit të Turqisë me NATO-n. Që nga ajo koha politikat e ndërmarra nga Turqia janë distancuar shumë nga politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo çështje mund të kthehet në një krizë diplomatike mes Ankarasë dhe Uashingtonit. Nga ana tjetër shpallja e Kodsit si kryeqytet të regjimit sionist nga ana e presidentit amerikan, ka nxitur ndjenjat dhe reagimet e myslimanëve në të gjithë botën islame dhe sidomos në shoqërinë islamike të Turqisë. Kjo ndjenjë është e njëjtë me qëndrimin e paraqitur nga populli turk pas sulmit që iu bë shtetasve të Turqisë gjatë dërgimit të ndihmave të tyre humanitare për rripin e Gazës ngjarje që ngriti shumë lart ndjeshmërinë e popullit turk ndaj çështjes palestineze. Në këtë fushë, Ender Helvacioglu, analist i çështjeve politike në Turqi, ka përmendur nivelin e ulët të popullaritetit të Trump në Amerikë dhe ka thënë se politikat e padrejta të Amerikës përbëjnë problemin kryesor të botës. Vendimi i fundit i Donald Trump për njohjen e Kodsit si kryeqytet të regjimit sionist dhe për transferimin e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kods, është bërë shkak për uljen e madhe të popullaritetit të tij. Mirëpo shkaku kryesor i pakënaqësisë ndaj politikave të Amerikës, është qëndrimi armiqësor i këtij vendi në rajonin e Lindjes së Mesme dhe ndaj vendeve të tjera. Duke pasur parasysh sjelljen ndërhyrëse të Amerikës në Turqi, sot populli turk më shumë se kurdoherë tjetër është i irrituar nga politikat hegjemoniste të Amerikës dhe qeveria turke duhet të respektojë kërkesat e popullit dhe duke kuptuar sjelljet e perëndimit ndaj Turqisë, të ndërmarrë politika për të ruajtur interesat dhe dinjitetin e popullit turk.

Advertisements