Breaking News

Protesta në Shqipëri

Protesta e sotme e opozitës ishte e para jo elektorale pas një viti.

Nuk kanë rëndësi numrat pasi ata janë më shumë sesa thotë PS dhe më pak nga sa pretendon PD, por janë gjithsesi njerëz që protestojnë. Organizatorët duhet të jenë të kënaqur për numrin e njerëzve pasi janë më shumë sesa në mitingjet elektorale të presidentëve amerikanë dhe më pak sesa në Rumani. Edhe kjo protestë e PD, ashtu si ato të PS kur ishte në opozitë është një mishelë militantësh, të paguarish dhe, pak të pakënaqurish. Nuk ka asgjë për t’u habitur nëse në mitingun e ardhshëm do të jenë akoma më pak. Tashmë njerëzit nuk dalin më për partitë në protestë. Militantët, po, sepse është parimi i gozhdës që shtyn gozhdën: sot këta, nesër ata në punët e shtetit. Por masa kritike e qytetarëve e di se nuk përfiton gjë nga kjo punë. Janë dokra që i bluan çdo mulli që është në opozitë poshtë dritares së kryeministrit.  Mitingjet partiake janë në zvogëlim në botën e qytetëruar shtu si gazetat e partive që u tkurën e u tkurën dhe tani nuk ekzistojnë më. Shkaku që do të ringjallte edhe një herë protestën në Shqipëri nuk janë më mitingjet e partive por ato të shtresave që preken nga reforma të caktuara. Një shak për t’u mbledhur është ulja e nivelit të xhiros që do taksohet; aplikimi i TVSH edhe për bizneset e vogla; shkeljet nga aplikimi i statusit të nëpunësit civil; pushimet e padrejta nga puna; taksimi i studentëve, inceneritorët që po mbijnë si kërpudhat pas shiu, apo shumë kauza të tjera. Nuk ka rëndësi sa njerëz mblidhen por rëndësi ka që kauza është e prekshme. Edhe 100 persona të mirëmotivuar vlejnë më shumë sesa mijëra që mblidhen me urdhër partie dhe mezi presin të mbarojë mitingu që t’ia mbathin për në shtëpi. Me këtë mënyrë edhe partitë tregojnë se janë pranë njerëzve, edhe njerëzit prekin problemet reale të tyre. Përndryshe ne do të kemi një zvjerdhje gjithmonë e më të madhe të njerëzve nga politika. Ata e dinë shumë mirë se këta që janë në opozitë sot, dhe në pushtet dje, janë të ngjashëm me socialistët; se të gjitha që fliten për hajdutë e kusarë, është punë tullumbacesh që shpohen sapo ndërrohen pozicionet, aq më tepër kur portretet janë të njëjta. Ajo që kanë nevojë njerëzit është të dinë se çfarë do të bëhet me problemet e tyre, çfarë do të bëhet me Taçin dhe Beson që i lanë në diell. Pa, që kur je në pushtet do ta ngjyesh rrotën dhe gishtin, kjo ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë.

Advertisements