Breaking News

Serbia kërkon pjesëmarrjen në hetimet për Ivanoviç, pezullon dialogun me Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç doli para mediave vendase në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, që ai e thërriti pas vrasjes së Oliver Ivanoviç në Mitrovicë.

Vuçiç e quajti akt terrorist dhe si i tillë do të trajtohet nga Serbia. “Autorët e këtij akti do të vihen para drejtësisë. Nëse ata që e kanë për detyrë nuk e bëjnë këtë, ne do ta bëjmë”, tha ai. Presidenti serb shtoi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është rënë dakord nisja e një letre për EULEX-in dhe UNMIK-un, me kërkesën që Serbia të marrë pjesë në hetimin e ngjarjes brenda territorit të Kosovës. “Nuk dua të spekuloj, por ka detaje interesante që na adresojnë tek autorët dhe kushdo që e ka kryer këtë akt, qoftë serb, shqiptar apo i huaj, do të përballet me drejtësinë”, u shpreh Vuçiç.Vuçiç komentoi edhe tërheqjen e delegacionit serb nga negociatat dypalëshe me Kosovën në Bruksel. “Kur kemi kërcënime të përditshme, është e pakuptimtë dhe e vështirë që të dialogojmë”, vijoi ai.

Advertisements