Breaking News

Lideri Suprem: Vendimi absurd i SHBA për Kudsin, nuk do të realizohet

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei deklaroi se SHBA me vendimin absurd për njohjen e Kudsit si “kryeqytet” i Izraelit dhe për transferimin e ambasadën amerikane në këtë qytet të shenjtë, po i kalon kufijtë e saj, por gjithsesi ky vendim nuk do të realizohet.

Ajetollah Khamenei e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi të zhvilluar sot me pjesëmarrësit në Sesionin e 13-të të Konferencës së Unionit Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Teheran. “Kjo lëvizje e zyrtarëve amerikanë, të cilët kohët e fundit kanë vepruar me më shumë prepotencë dhe arrogancë në lidhje me Kudsin, nuk do të sjellë asnjë rezultat,” deklaroi Ajetollah Khamenei, duke shtuar: “Këshilla ime ndaj vëllezërve tanë në botën islame është se ne duhet të jemi të qartë për çështjet themelore të botës islame, në mënyrë që të krijojmë tendenca dhe të ndikojmë në opinionin publik”. Më tej, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik deklaroi: “Palestina është një çështje e rëndësishme e botës myslimane e cila është injoruar krejtësisht. Mposhtja e sionistëve në një luftë të butë është e mundur ashtu siç është e mundur edhe gjatë luftës së fortë. Unë besoj se kjo luftë kundër regjimit sionist do të sjellë fryte, ashtu siç ka përparuar rezistenca sot. Më parë, ishte një kohë kur sionistët këndonin “nga Nili deri në Eufrat”, por sot ata po ndërtojnë mure rreth vetes, në mënyrë që të mund të mbrojnë veten në atë tokë të pushtuar. Palestina është një popull dhe një vend me histori. Palestina është nga lumi  deri në det, dhe padyshim Kudsi është kryeqyteti i saj”. Në vazhdim të fjalës së tij, Ajetollah Khamenei theksoi: “Qeveritë si regjimi saudit, të cilat ndihmojnë SHBA-në dhe regjimin sionist, po e tradhtojnë Ummetin Islam dhe Botën Islame. Bota  Islame, me një popullsi kaq të madhe dhe me kaq shumë potenciale, me siguri mund të krijojë një fuqi të madhe brenda botës dhe nëpërmjet unitetit të bëhet një faktor me influencë. Konfliktet në mesin e vendeve të Botës Islame duhet të ndalen dhe ne nuk duhet të lejojmë që të krijohet një strehë e sigurt për regjimin sionist. Ne jemi të gatshëm për të trajtuar si vëllezër edhe ata nga bota myslimane që ishin armiq me ne”. Ajetollah Khamenei më tej vuri në dukje pretendimet false të SHBA për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe tha se presidenti aktual i SHBA po i deklaron “shumë qartë dhe në mënyrë eksplicite” qëndrimet dyfytyrëshe të Amerikës ndaj të drejtave të njeriut. “Shprehjet banale dhe të turpshme të njeriut që sot sundon mbi SHBA-në rreth Afrikës, Amerikës Latine dhe racave të ndryshme, janë shembuj të masave të marra kundër të drejtave të njeriut”, tha Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. Në përfundim, Ajetollah Khamenei tha se populli iranian ka arritur të pengojë luftën ekonomike të armiqve kundër Republikës Islamike, përfshirë sanksionet, nëpërmjet rezistencës së tij.

Advertisements