Breaking News

Ish këshilltari i Trump i largohet përgjigjes rreth polemikave mbi zgjedhjet presidenciale

Ish këshilltari i presidentit Donald Trump u është larguar gazetarëve dhe nuk ka pranuar tu përgjigje pyetjeve të tyre rreth çështjes së zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

Siç njofton gazeta New York Times, prokurori i posaçëm Robert Mueller ka nxjerrë një urdhër që detyron ish-strategun e Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon të dëshmojë para një jurie të madhe që po heton rreth kontakteve të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Sipas gazetës, urdhri është nxjerrë javën e kaluar. Ndërkohë, zoti Bannon po merret në pyetje nga ligjvënësit lidhur me një tjetër hetim që po bën Kongresi për këtë çështje. Zoti Bannon, i cili ishte një nga ndihmësit kryesorë të fushatës zgjedhore të zotit Trump dhe për shtatë muaj këshilltar i lartë i administratës së tij, ka dalë përpara Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve në një seancë me dyer të mbyllura. Hetimet që po kryen Dhoma e Përfaqësuesve janë një prej disa hetimeve në Uashington rreth lidhjeve të njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Steve Bannon vazhdon ta ofrojë hapur mbështetjen e tij për Presidentin Trump. Por marrëdhëniet e tij me Presidentin u dëmtuan shumë kur zoti Bannon u citua gjerësisht për kritika rreth funksionimit të Shtëpisë së Bardhë muajt e saj të parë. Citimet bëhen në librin e ri të autorit Michael Wolff, Zjarr dhe Furi: Brenda Shtëpisë së Bardhë të zotit Trump. Ish-këshilltari i zotit Trump citohej ta kishte cilësuar “tradhti” dhe “jopatriotik” takimin gjatë fushatës që djali i madh i Presidentit, Donald Trump Jr, dhëndri i tij Jared Kushner tashmë këshilltar në Shtëpinë e Bardhë dhe dikur menaxheri i fushatës Paul Manafort patën zhvilluar me një avokate ruse, në përpjekje për të marrë prova “inkriminuese” kundër kandidates presidenciale të Partisë Demokratike, Hillary Clinton.

Advertisements