Breaking News

Sa i vërtetë është raporti i gazetës “New York Times” rreth një plani saudit për të armatosur disa milici në kampet palestineze në Liban për të goditur ndikimin iranian?

Si ishte përgjigjja e Abbasit ndaj këtij plani? Cilat janë mundësitë e suksesit të tij nën dritën e aleancës së fortë midis Hamasit dhe Hezbollahut?

Gazeta amerikane “The New York Times” zbuloi ekzistencën e një plani afatgjatë saudit për t’u përballur me “Hezbollahun” libanez dhe në një raport të gjatë të publikuar në edicionin e saj të së hënës së kaluar tha se Arabia Saudite po synon të armatosë disa milici në kampet palestineze për t’u përballur me “Hezbollah” libanez me objektiv goditjen e ndikimit iranian në Liban.

Autoritetet saudite e mohuan fuqimisht këtë lajm, por lajmet që vijnë nga Bejruti tregojnë për rritje të aktiviteteve të disa bashkëpunëtorëve të lidhur me grupe fundamentaliste sektariste libaneze brenda kampeve palestineze që nxisin kundër Hezbollahut dhe flasin për kërcënimin iranian që po i kanoset rajonit.

Numri i palestinezëve në Liban, sipas statistikave zyrtare të publikuara kohëve të fundit, arrin në 174 mijë, që është shumë më i ulët se shifrat e ekzagjeruara të cilat njiheshin para këtij censusi. Që të gjithë i përkasin komunitetit sunit, por një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njëanshmëri sektare, anojnë më shumë nga moderimi dhe ndërtojnë qëndrime asnjanëse, veçanërisht ata që i përkasin Frontit Popullor, Lëvizjes “Fatah” dhe organizatave e fraksioneve të tjera nacionaliste ideologjike.

Lëvizja Hamas ka një ndikim të fortë dhe në rritje në kampet palestineze dhe hapja e lidershipit të saj të tanishëm ndaj Iranit dhe Hezbollahut si dhe rivendosja e marrëdhënieve mes tyre deri në masën e aleancës që ekzistonte para ngjarjeve në Siri, mund ta bëjë Lëvizjen t’i bllokojë rrugën çdo përpjekjeje për të krijuar milici palestineze të natyrës sektare për t’u angazhuar në ndonjë luftë kundër Hezbollahut.

Princi Muhammed bin Selman, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, nuk i fshehu presidentit palestinez Mahmud Abbas – gjatë vizitës së këtij të fundit në Riad muajin e kaluar – dëshirën saudite për të mobilizuar palestinezët në llogoren përballë Hezbollahut, ashtu siç i shprehu – sipas disa burimeve të afërta palestineze – dëshirën e Mbretërisë për të financuar çdo orientim në këtë kuadër dhe dëshirën që presidenti Abbas dhe Lëvizja Fatah të ofrojnë ndihmën e tyre në këtë orientim. Ky orientim është zgjatim i një kërkese saudite bërë kryeministrit libanez Saad Hariri që të japë dorëheqjen nga posti i tij për të tensionuar gjendjen në Liban dhe për të forcuar angjinat ndaj Hezbollahut, aleatit të fortë të Iranit.

Advertisements