Breaking News

Dollarët e “sekserit” Trump dështojnë të blejnë ndërgjegjet e të ndershmëve të botës…

Votimi dërrmues në Kombet e Bashkuara është përgjigje ndaj paturpësisë së Nikki Haley dhe aleatit të saj izraelit… Egjipti, Jordania dhe Autoriteti nuk tremben nga kërcënimet për shkurtimin e ndihmës amerikane; ky është qëndrim nderues… Shpresojmë që Uashingtoni të guxojë e t’i presë ato dhe këto janë arsyet tona.

Abdul-Bari Atuan

Kombet e Bashkuara nuk janë në shitje. Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka arritur t’i blejë dot me dollarët e tij vendet e varfra dhe të pasura të botës. Përfaqësuesja e tij Nikki Haley u largua herët nga salla sepse nuk mundi të përballonte dot disfatën. Edhe përfaqësuesi i Izraelit ishte i vetëm e i izoluar dhe nuk gjeti përveçse tetë shtete të qëndronin në llogoren e tij dhe të aleates së tij, Amerikës; shtete – si Mikronezia, Ishujt Marshall dhe Nauru – që për t’i parë në hartë dikujt do t’i nevojiteshin lente zmadhuese.

Nuk ka dyshim se votimi i dy të tretave të anëtarësisë së Kombeve të Bashkuara në favor të projekt-rezolutës që dënonte judaizimin e Jerusalemit (Kudsit) të pushtuar dhe transferimin e ambasadës amerikane, është një fitore e madhe dhe një pikë kthese historike ndërkombëtare për çështjen palestineze. Por ajo që është më e rëndësishme se kjo është fakti se politika e shantazhit dhe e kërcënimeve të ushtruara nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj shteteve të varfra që marrin ndihmë nga vendi i tij, ka pësuar një humbje dërrmuese dhe një shuplakë të fuqishme në sy të gjithë botës. Kjo është një arritje e paprecedentë.

Ky votim dërrmues ia zhgërreu hundën në pluhur arrogancës amerikane dhe i dërgon një mesazh të fortë presidentit Trump dhe administratës së tij se bota mund t’u thotë “Jo!” të madhe politikave të tij raciste “makartiste” dhe krekosjes para vendeve të varfra që marrin ndihmë nga vendi i tij.

Ndoshta një apo dy vende iu nënshtruan kërcënimeve amerikane për të prerë ndihmat, si Afganistani dhe Mali, të cilët e tërhoqën mbështetjen e tyre ndaj vendimit të dënimit. Por këto vende janë koloni amerikane dhe nuk mund t’i refuzojnë urdhrat e padronit të tyre arrogant amerikan.

Advertisements