Breaking News

BE drejt pavarësisë nga SHBA në sektorin e sigurisë

Shtetet e BE ranë dakord për herë të parë për një bashkëpunim të përhershëm ushtarak. Në të do të marrin pjesë, krahas Gjermanisë, 24 shtete të tjera të BE.

Bashkëpunimi do të çojë në plan afatmesëm në krijimin e një Bashkimi evropian të Mbrojtjes. Një nga synimet në këtë kuadër është që BE të bëhet më i zhdërvjellët dhe më i pavarur nga SHBA. Bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar, i cili u vendos formalisht në një takim të ministrave të Jashtëm të BE do të nisë me 17 projekte konkrete. Nën udhëheqjen gjermane do të ngrihet një komandë sanitare, kryqëzime logjistike si dhe një qendër trajnimi për pedagogët ushtarakë. Veç kësaj janë parashikuar për shembull edhe një mbikëqyrje më e mirë e detit dhe zhvillimi i prototipave të automjeteve për këmbësorinë. Do të merren masa që në të ardhmen BE të dërgojë në raste krizash më shpejt trupa. Për këtë është e interesuar para së gjithash Franca. Guri i themelit për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes u hodh muajin e kaluar në një takim të përbashkët të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE. Në atë kohë, shtetet e interesuara e informuan zyrtarisht BE-në se duan të themelojnë një institucion i quajtur PESCO ose “Bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar”. Në këtë bashkëpunim nuk marrin pjesë Danimarka, Britania e Madhe dhe Malta. Danimarka nuk merr pjesë tradicionalisht në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes të BE, kurse Britania e Madhe do të dalë më 2019 nga BE. Malta me sa duket nuk donte t’i plotësonte kriteret e anëtarësimit, që parashikojnë ndër të tjera një rritje të rregullt të shpenzimeve të mbrojtjes. Mundësia e krijimit të një bashkëpunimi të përhershëm të strukturuar midis shteteve të BE u krijua në 2009 me marrëveshjen e Lisbonës të BE. Britania e Madhe e pati bllokuar prej kohësh këtë bashkëpunim. Britania, fuqia më e madhe ushtarake në Evropë, e cila ka vendosur të largohet nga BE, ka kundërshtuar çdo iniciativë që mund të çojë në krijimin e një ushtrie evropiane. Përballë daljes nga BE, Londra tani nuk ka më argumenta kundër këtij bashkëpunimi. Dje, (e hënë) Bashkimi Evropian ka nisur një pakt të madh ushtarak, duke u përpjekur të koordinojë politikat dhe projektet midis shteteve anëtare përballë kërcënimeve të supozuara nga lindja e kontinentit. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE, tha se shtetet gjithashtu do të miratojnë të martën Fondin Evropian të Mbrojtjes (EDF), një projekt me një buxhet vjetor prej 1.5 miliardë euro. Skemat janë pjesë e përpjekjeve të BE për të koordinuar më mirë projektet dhe politikat ushtarake midis anëtarëve dhe për të rritur aftësitë ushtarake të bllokut përballë kërcënimeve të supozuara nga Rusia në lindje. Shefi i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se miratimi i iniciativës si një komponent kryesor i Traktatit të Lisbonës 2007, i cili mbështetet në BE-në moderne, ishte tepër i vonuar.

Advertisements