Breaking News

Armand Duka në Teheran, marrëveshje bashkëpunimi mes federatave të futbollit të Iranit dhe Shqipërisë

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Iraniane e Futbollit kanë arritur marrëveshjen dhe sot kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndodhet në Iran, për të firmosur marrëveshjen e cila lidh ngushtë në një bashkëpunim intensiv në të ardhmen federatat e futbollit të Iranit dhe Shqipërisë, duke konsistuar fillimisht me ndeshjet miqësore me të gjitha skuadrat kombëtare, organizimin e turneve miqësorë, shkëmbim të lektorëve mbi kurset e edukimit të trajnerëve, etj.  Marrëveshja parashikon edhe shkëmbim të arbitrave mes dy federatave, apo lektorëve të arbitrave, si dhe trajnime të stafeve të niveleve të ndryshme. Presidenti i FSHF, z. Armand Duka në takimin me presidentin e Federatës së Futbollit të Iranit z. Mehdi Taxh, theksoi: “Jam i kënaqur në këtë vizitë zyrtare në Federatën e Iranit, por mbi të gjitha, për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi në shumë fusha mes FSHF-së dhe Federatës së Iranit. Duke shprehur angazhimin maksimal timin dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, së bashku me homologun tim, z.Taxh dhe vetë Federatën iraniane do të nisim një bashkëpunim të ngushtë, që me ndeshjet miqësore me ekipet kombëtare dhe deri te shkëmbimi i eksperiencave, mes dy institucioneve në nivele të ndryshme. Shkëmbim shumë pozitiv eksperiencash që do të vlejë maksimalisht për futbollin e të dy vendeve”. “Ne jemi një vend i vogël, por kemi një rritje të mirë në futboll”, tha Duka. “Kualifikimi në Kampionatin Botëror është një ëndërr e madhe për Shqipërinë. Jemi në Teheran  për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe ky është hapi i parë në shkëmbimin e njohurive dhe informacionit dhe promovimin e futbollit mes dy vendeve”, përfundoi Presidenti i FSHF.

Advertisements