Breaking News

Zgjerohen veprimet anti-islame të presidentit amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan shpeshherë ka krijuar polemika me deklaratat dhe vendimet e tij kundër myslimanëve dhe kësaj here ai është bërë objekt polemikash dhe kritikash për shkak të postimit të disa videove anti-islame në rrjetin e tij social Twitter.

Llogaria në “Twitter” e presidentit Donald Trump ka ripostuar 3 video antimyslimane nga një grup britanik i së djathtës ekstreme. Postimi i parë në “Twitter” ishte nga Jayda Fransen, zëvendëskryetarja e “Britain First”, ku duket se tregohet një emigrant mysliman që sulmon një burrë me paterica. Kjo pasohet nga dy video të tjera të njerëzve, që Fransen pretendon se janë myslimanë. “Britain First” u themelua në vitin 2011 nga ish-pjesëtarë të Partisë Nacionaliste britanike, të ekstremit të djathtë. Grupi ka tërhequr vëmendjen në mediet sociale me postime të shumëkritikuara për atë që ata e konsiderojnë islamizim të Britanisë së Madhe. Ai ka paraqitur kandidatë në zgjedhjet e përgjithshme mbi platforma antiemigracion dhe antiabort, por nuk ka mundur deri më tani të sigurojë asnjë vend në Parlament. Vet Fransen ka më shumë se 52 mijë ndjekës në “Twitter”. Publikimi i këtyre videove ka ngjallur reagimin e kryeministres angleze Theresa May. Zëdhënësi i kryeministres britanike Theresa May tha se postimi i këtyre videove ishte një veprim i gabuar për një president. “Britanikët kundërshtojnë në shumicë të madhe retorikën plot paragjykime të së djathtës ekstreme, e cila është antiteza e vlerave që ky vend përfaqëson – mirësjellje, tolerancë dhe respekt. Është gabim që presidenti e bëri këtë,”, ka thënë zëdhënësi i Theresa May. Edhe politikanët britanikë që normalisht janë pro zotit Trump e kritikuan Presidentin amerikan për ripostimin e videove të zonjës Jayda Fransen, nënkryetare e grupit të ekstremit të djathtë anti-emigrant “Britania e Para”, e cila kërkon kthimin e “vlerave tradicionale britanike” dhe fundin e “islamizimit.” Reagime të ashpra erdhën edhe nga politikanë të tjerë amerikane, të cilët thanë se presidenti po amplifikonte zërin e ekstremistëve të djathtë dhe se kjo ishte thellësisht shqetësuese. Kësaj deklarate i është përgjigjur vetë Donald Trump i cili  fshikulloi publikisht Theresa May-n duke i thënë asaj të fokusohej tek terrorizmi, pasi liderja britanike e kritikoi për ripostimin e videove anti-myslimane të së djathtës ekstreme. “Mos u fokuso tek mua, por tek lufta shkatërruese e terrorizmit radikal islamik që po zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar’-ishte komenti i numrit një të Uashington në rrjetin social “Twitter”. Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë aleatë tepër të afërt dhe shpesh thuhet se ndajnë një “marrëdhënie të veçantë” mes tyre. Theresa May madje ishte liderja e parë e huaj që vizitoi Shtëpinë e Bardhë pasi Trump mori detyrën e presidentit. Është e pazakontë që një president amerikan të qortojë publikisht udhëheqësin e një aleati kyç siç është Britania. Kjo kontradiktë ka nxitur disa politikanë britanikë që të kërkojnë anulimin e vizitës së planifikuar të Trump në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse zyra e kryeministres May ka deklaruar se ftesa për kreun e Uashingtonit është ende e vlefshme.

Advertisements