Breaking News

Ministri i jashtëm i Turqisë kritikon ashpër vendet evropiane dhe NATO-n

Ministri i jashtëm i Turqisë në një takim me homologun e tij italian, ka kritikuar ashpër evropianët për shkak të politikave të tyre negative ndaj Turqisë.

Mevlut Çavushoglu, ministër i jashtëm i Turqisë dje u takua me Angelino Alfano në Romë ku tha se vendet evropiane në vend që ta konsiderojnë Turqinë aleat të tyre, atë po e prezantojnë si vend armik. Disa vende të BE veten e tyre e konsiderojnë padronë të unionit dhe nuk lejojnë anëtarësimin e të tjerëve në këtë union, tha në fjalën e tij shefi i diplomacisë turke. Në një marrëveshje buxhetore për vitin 2018, Bashkimi Evropian, njoftoi se fondet e destinuara për Turqinë do të zvogëlohen, duke ngritur dyshime rreth angazhimit të Ankarasë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishte bërë thirrje për një shkurtim të fondeve, të cilat janë të lidhura me zvarritjen e anëtarësisë të Turqisë për tu bashkuar me bllokun, pas arrestimeve masive në vend që nga puçi i dështuar i korrikut të vitit 2016. Shtetet anëtare janë dakorduar të ulin fondet në 105 milionë euro dhe ngrijnë një shtesë tjetër prej 70 milionë eurosh të shpenzimeve që ishin prezantuar më herët. Në një deklaratë, ata thanë se “ata e konsiderojnë përkeqësimin e situatës shqetësuese në lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”. Turqia ka shkarkuar më shumë se 140,000 zyrtarë që nga puçi i dështuar dhe arrestoi 50,000 të tjerë duke përfshirë politikanë të opozitës, akademikë, gazetarë, aktivistë dhe qytetarë të BE.

Advertisements