Breaking News

Presidenti gjerman kundërshton organizimin e zgjedhjeve të reja

Presidenti i Gjermanisë ka kundërshtuar përsëritjen dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare në vend.

Frank Walter Steinmeier, duke reaguar ndaj dështimit të bisedimeve të koalicionit për formimin e qeverisë së ardhshme të Gjermanisë, ka refuzuar dhe hedhur poshtë idenë e përsëritjes së zgjedhjeve parlamentare. Nga ana e saj, kancelarja Angela Merkel përballë mundësisë së drejtimit të një qeverie pakice pas dështimit të bisedimeve për koalicionin në Gjermani, tha se preferon zgjedhje të reja. Duke mos e mohuar krizën politike në të cilën është zhytur vendi, liderja gjermane deklaroi se nuk sheh asnjë arsye për t’u dorëhequr nga posti. Mbrëmjen e së dielës liberalet e FDP-së u tërhoqën nga bisedimet për krijimin e një koalicioni me bllokun CDU/CSU të Merkelit dhe të gjelbrit. Presidenti Frank Walter Steinmeier u bëri thirrje partive të rikonsiderojnë pozitat e tyre e të bëjnë kompromis për hir të mirëqenies së Gjermanisë, siç u shpreh. Situatën, ai e cilësoi të paprecedente. Merkel përballet me sfidën më të madhe në 12 vite si kancelare. “Rruga drejt formimit të qeverisë po rezulton më e vështirë nga ç’kishim shpresuar”, tha ajo për televizionin ARD, duke shtuar se e shihte me skepticizëm një qeveri minorance, e se preferonte zgjedhjet e reja. Në një intervistë tjetër për kanalin ZDF, Merkel pohoi se Gjermania kishte nevojë për stabilitet dhe një qeveri që nuk ka nevojë të kërkojë shumicën për çdo vendim. Disa pjesëtarë të partisë së saj vazhdojnë të shpresojnë për një koalicion të madh me social demokratët pavaresisht se partia e ka përjashtuar vazhdimisht një mundësi të tillë. Më herët gjatë ditës lideri i SPD, Martin Schulz tha se partia e tij nuk kishte frikë nga zgjedhjet e reja. Blloku i Merkelit u shpall fitues i zgjedhjeve të shtatorit, por nuk arriti të siguronte shumicën, ndërsa shumë prej votueseve dezertuan partitë kryesore.

Advertisements