Breaking News

I paraqitur si armik i NATO-s, Erdogan largon trupat turke nga manovra

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se është i informuar për ngjarjet e ndodhura në stërvitjen Trident Javelin të NATO-s në Norvegji, duke kërkuar “falje për gabimin e ndodhur”.

“Jam informuar për ngjarjet që ndodhën gjatë stërvitjes në Qendrën e Përbashkët Luftarake (JWC) të NATO-s në Stavanger të Norvegjisë. Kërkoj falje për gabimin e ndodhur. Ngjarjet kanë rrjedhur nga veprimet e një personi të vetëm dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e NATO-s”, ka thënë Stoltenberg në një deklaratë në lidhje me skandalin e ndodhur në stërvitjen e NATO-s në JWC ku Erdogan dhe thelemuesi i Republikës së Turqisë, Kemal Ataturk, janë paraqitur sikur të jenë armiq të NATO-s. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është shprehur se ka vendosur t’i tërheqë trupat turke nga stërvitja e NATO-s në Norvegji pas një incidenti në këtë vend. “Dje në Norvegji ka ndodhur një incident. Në Norvegji kanë vendosur një tablo, si tablo armiqësore. Aty ndodhej fotografia e Ataturkut dhe, në anën tjetër, emri im. Pra, ishim objektiva”, tha Erdogan në një takim të krerëve të qyteteve në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara. “Pasi morën këtë informacion, shefi i shtabit dhe ministri përgjegjës për BE-në që ndodheshin në udhëtimin për në Kanada më telefonuan dhe më njoftuan për rastin dhe më thanë se kanë vendosur të tërheqin ushtarët, të cilët janë rreth 40, në stërvitjen e NATO-s, ndërsa unë u thash që gjithsesi ta bëjnë një gjë të tillë dhe të mos presin aspak. U thash që edhe sikur ato objektiva të hiqen, të tërheqin menjëherë 40 ushtarët tanë. Nuk mund të ketë një aleancë, një aleat të tillë”, shtoi presidenti turk. Në fjalën e tij, Erdogan e ka quajtur zhgënjim faktin që SHBA-të nuk kanë mbajtur premtimet lidhur me krizën në Siri.

Advertisements