Breaking News

Ajetollah Khamenei pret Putinin: Përvoja e bashkëpunimit në Siri tregoi se mund të arrihen objektivat e përbashkët

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei, përshëndeti bashkëpunimin midis Iranit dhe Rusisë në luftën kundër terroristëve takfiristë në Siri, duke thënë se humbja e koalicionit të udhëhequr nga SHBA në Siri është “një realitet i pamohueshëm”.

“Disfata e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në mbështetje të terroristëve në Siri është një realitet i pamohueshëm, por ata vazhdojnë të thurin komplote”, tha të mërkurën Ajetollah Khamenei në një takim në Teheran me presidentin rus Vladimir Putin. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik theksoi se zgjidhja e krizës në Siri kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm midis Teheranit dhe Moskës. Ajetollah Khamenei tha se beteja e Iranit dhe Rusisë kundër terroristëve takfiristë të mbështetur nga disa vende ka pasur rezultate të rëndësishme duke i dhënë Rusisë një rol kyç në zhvillimet në Azinë Perëndimore. Ai vuri në dukje se populli sirian është vendimmarrësi i vetëm dhe i fundit lidhur me çështjet e vendit të tij. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vuri në dukje se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me qeverinë e Damaskut duhet të zgjidhen në bazë të përpjekjeve dhe dialogut brenda Sirisë dhe se qeveria siriane nuk duhet të vihet nën ndonjë presion të huaj për të zbatuar ndonjë masë. Ajetollah Khamenei përkrahu qëndrimin e presidentit rus në nevojën e respektimit të marrëveshjes shumëpalëshe bërthamore dhe kritikoi SHBA-të për ndjekjen e një qasjeje “rebele” në këtë drejtim. Ai theksoi nevojën që vendet e rajonit të zgjidhin çështjet e tyre pa ndërhyrje të huaja, duke thënë se “amerikanët kërkojnë të ndërhyjnë në të gjitha çështjet e rajonit dhe botës”. Në deklaratat e tij, Lideri Suprem vuri në dukje krimet në baza ditore të regjimit Saudit të kryera në Jemen dhe paralajmëroi se lufta mund të rezultojë tepër negativisht duke e futur Riadin në kriza të tjera më të thella. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik bëri thirrje gjithashtu për bashkëpunim kundër sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe Rusisë dhe shtoi se pavarësisht propagandës negative të armiqve për të minuar marrëdhëniet midis dy vendeve, Irani dhe Rusia mund të sanksionojnë amerikanët duke përdorur metoda të tilla si heqja e dollarit dhe zëvendësimi i tij me monedhat kombëtare. Presidenti rus, nga ana e tij, e cilësoi Iranin si “një partner strategjik” dhe një “fqinj të madh”, duke theksuar se ai do të mirëpriste shfrytëzimin e çdo potenciali për të forcuar plotësisht dhe për të zgjeruar marrëdhëniet dypalëshe. Duke folur për luftën në Siri, Putin përshëndeti arritjet e bashkëpunimit Iran-Rusi në luftën kundër terrorizmit, duke bërë thirrje për “një proces të përshtatshëm politik që duhet të merret parasysh në Siri”. Duke vlerësuar qëndrimin e Ajetollah Khameneit për arritjen e objektivave të përbashkëta në Siri si tepër inteligjent dhe shumë të efektshëm, Presidenti rus tha: “Ne i dëshmuam botës se jemi në gjendje të zgjidhim çështjet shumë të rëndësishme të rajonit tonë pa ndonjë ndihmë nga vendet jashtë-rajonale”.

Advertisements