Breaking News

Kina dhe Koreja e Jugut drejt normalizimit të marrëdhënieve

Kina dhe Koreja e Jugut kanë rënë dakord të përshpejtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Prej një viti, palët kanë mbajtur qëndrim ndaj njëra-tjetrës për shkak të vendosjes së sistemit amerikan anti-raketa në Korenë e Jugut, një mosmarrëveshje që ka dëmtuar bizneset koreano-jugore të varura nga konsumatori kinez. Vendosja e sistemit të ashtuquajtur THAAD ishte një lëvizje e kritikuar si nga Pekini ashtu edhe nga Koreja e Veriut. Si pjesë e marrëveshjes mes vendeve, presidentët respektivë do të takohen në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik në Azi dhe Paqësor. “Të dyja palët ndajnë qëndrimin se forcimi i shkëmbimit dhe bashkëpunimit mes Koresë dhe Kinës i shërben interesave të përbashkëta,” shkruhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme koreano-jugore. Përpara mosmarrëveshjes lidhur me sistemin anti-raketor THAAD, marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të afërta, pavarësisht aleancës historike të Pekinit me Korenë e Jugut dhe lidhjeve të ngushta të Seulit me Uashingtonin. Kjo lëvizje e papritur vjen pak ditë përpara se presidenti amerikan Donald Trump të nisë turneun e tij në Azi, ku kriza bërthamore e Koresë së Veriut do të jetë në qendër të vëmendjes.

Advertisements