Breaking News

Maqedonia drejt një krize të re politike

Partia VMRO-DPMNE pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve ka deklaruar se nuk e pranon këtë rezultat. Ky qëndrim i partisë më të madhe në opozitë mund ta fusë Maqedoninë në një krizë të re.

Gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve të mbajtura 1 ditë më parë në Maqedoni morën pjesë 68 kandidatë nga 8 parti, si dhe 2 kandidatë të pavarur. Komisioni qendror i zgjedhjeve në Maqedoni publikoi rezultatet e para të zgjedhjeve rajonale të së dielës nga të cilat rezulton se LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në 17 komuna, BDI në gjashtë, Aleanca për Shqiptarët në tre, Lëvizja Besa në një, PDSH-ja në një dhe VMRO-DPMNE-ja në dy. Mbeten ende për t’u numëruar votat në kater prej 35 komunave ku u votua në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli fitoren në pjesën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni. Sipas tij, BDI-ja ka triumfuar mes të tjerash në Tetovë, Strugë, Çair, Dibër, Saraj, Pllasnicë dhe Kërçovë. Sa i përket komunës së Gostivarit, Ahmeti tha se janë në pritje të rezultateve finale, por njëkohësisht la të kuptohej se po përgatiten për humbjen e kësaj komune, ku kandidati i partisë së tij Nevzat Bejta garonte me Arben Taravarin e Aleancës për Shqiptarët. I hidhur ishte reagimi i kreut të lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili deklaroi se BDI-ja u shndërrua në degë të LSDM-së, dhe se socialdemokratët e Zoran Zaevit janë bërë tani sovrane të shumicës së shqiptarëve. “Nuk ka më BDI, por ka një degë më shumë të LSDM-së. U bashkua Zaevi e Boshkovsi për t’ia siguruar fitoren BDI-së”, u shpreh Kasami që kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Shqetësimi i Zaevi nga ana tjetër ishte VMRO-DPME-ja. Ai kërkoi nga partia e Nikolla Gruevskit që të mos hapë probleme, por të njohe rezultatin e zgjedhjeve. “Shpresoj se do të keni fuqi të silleni si subjekt i përgjegjshëm politik e do të përfshiheni e të jepni kontribut konstruktiv për reformat. I bëj apel lidershipit të VMRO-DPME-së të vendosë në plan të parë interesat e qytetarëve. Sa per koalicionin e Ziadin Selës së Aleancës për Shqiptarët me Besën, Zaev tha se qëndrimi i LSDM-së nuk ndryshon dhe se pozicionin e tyre e kanë paraqitur përpara zgjedhjeve. “Kjo ishte zgjedhja e Selës,- u shpreh ai -Ne jemi këtu të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve pa dallime politike. Aleanca për Shqiptarët dhe Besa shpallën fitoren në katër komuna, përfshirë Gostivarin. LSDM-ja deklaroi se ka fituar thuajse në të gjitha zonat ku garuan kandidatet e saj, ndërsa Gruevski tha se nuk i njeh zgjedhjet vendore te cilat i quajti te falsifikuara. Misioni i OSBE-ODIHR ka publikuar reagimin zyrtar në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni. Ambasadorja e OSBE-ODIHR në Shkup Audrey Glover ka vlerësuar se zgjedhjet kaluan përmes një procesi demokratik, megjithëse ka patur parregullsi dhe raportime për raste të blerjes së votës. “Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryebashkiakë në Maqedoni ishte konkurrues dhe respektimi i lirive themelore kontribuoi në zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Janë raportuar raste të izoluara të keqpërdorimit të burimeve administrative dhe blerjes së votave. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi u menaxhua mirë. Procesi u menaxhua kryesisht në mënyrë profesionale, megjithëse performanca gjatë numërimit mund të ishte rritur. Kësisoj, parregullsitë procedurale të vëzhguara gjatë procesit të numërimit kanë ndikuar negativisht në vlerësim”, thuhet në deklaratën paszgjedhore të OSBE-ODIHR në Shkup. Në faqen zyrtare të OSBE, ku dhe është publikuar vlerësimi për zgjedhjet, thuhet se media gjithashtu ka bërë një mbulim cilësor të procesit, por me një dominim të dy partive të mëdha. Nga ana tjetër , tensionet jashtë qendrave të votimit nuk kanë kaluar pa vëmendjen e vëzhguesve të misionit të OSBE-ODIHR. “Tensionet jashtë disa vendvotimeve për shkak të pranisë së aktivistëve të partisë u vëzhguan në dy komuna. Disa raste të presionit mbi votuesit si dhe disa raste të blerjes së votave, u janë referuar autoriteteve”, nënvizohet në deklaratë.

Advertisements