Breaking News

Rusia teston me sukses raketën Satan-2 ( Djalli-2)

Rusia ka testuar me sukses raketën e saj të sofistikuar të quajtur “Satan 2” (Djalli-2). Testimi është bërë gjatë mesnatës së të enjtes dhe lajmi është konfirmuar edhe nga ministria ruse e Mbrojtjes.

Raketa, e njohur gjithashtu edhe si “RS-28 Sarmat”, u lëshua nga kozmodromi “Plestek” dhe fluturoi për 3.600 milje (5.800 km), përpara se të godiste objektivin në një rreze të njohur si “Kama” (Kura Missile Test Range), ndodhur në gadishullin e Kamçatkës, në cepin më lindor të Federatës Ruse. Veç kësaj, edhe 3 nëndetëse të afta për të transportuar koka bërthamore zhvilluan teste të sukseshme të raketave balistike, ndërsa 3 avionë bombardues goditën objektivat brenda rrezeve të caktuara të raketave. Dy prej raketave nga nëndetëset u lëshuan në detin Okhotsk, në veri të Japonisë dhe shumë pranë me Korenë e Veriut, njoftoi ushtria ruse. Raketa e tretë u lëshua nga deti Barents, në oqeanin Arktik. Forcat ushtarake ruse “zhvilluan një stërvitje për të menaxhuar forcat strategjike bërthamore të vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes. Bombarduesit strategjikë, “Tu-160”, “Tu-95MC” dhe “Tu-22M3” u ngritën nga disa baza ajrore ruse dhe lëshuan raketa “cruise”, të cilët goditën objektiva tokësore në Kamçatka, në Republikën Komi dhe në terrenin ushtarak rus në Kazakistan. Raketa balistike ndërkontinentale “Sarmat”, e cilësuar e gjeneratës së re, “mund të mposhtë çdo sistem mbrojtjeje dhe të shfarrosë vende të tëra”, sipas ushtrisë ruse. Arma është nisur të prodhohet që në vitin 2009, e tashmë është e gatshme pavarësisht pengesave, me testet e para që do të zhvillohen përpara fundit të këtij viti. Arma mund të futet në përdorim në vitet 2019-2020. Raketat “Sarmat” mund të transportojnë koka bërthamore prej 40 megatonë, rreth 2.000 herë më të fuqishme sesa bombat atomike të hedhura mbi Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945.

Advertisements