Breaking News

Sulmi në Kiev ishte akt terrorist

Një shpërthim vdekjeprurës me bombë ka tronditur Kievin duke shkaktuar plagosjen e deputetit ukrainas Ihor Mosiychuk dhe vdekjen e truprojës së tij.

Ndërkohë raportohet dhe për plagosjen e dy persona të tjerë që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Dëshmitarë të ngjarjes dhe autoritetet përkatëse, thanë se sulmi ishte i qëllimshëm ndaj zyrtarit qeveritar. Ligjvënësi i Parlamentit të Ukrainës Mosiychuk, anëtar i Partisë Radikale në opozitë ndodhet i shtruar në spital, ku sipas të dhënave paraprake, i është nënshtruar një operacioni dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet zyrtare, deputeti Ihor Mosiychuk ka qenë duke dalë nga ambientet e një stacioni televiziv në Kiev, kur një motoçikletë ka shpërthyer në afërsi të godinës, pasi në të ishte montuar eksplozivi. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia për motivin e këtij sulmi, por lideri i Partisë Radikale Oleh Lyashko tha se incidenti ishte padyshim i motivuar politikisht. Ministria e Brendshme njoftoi se shpërthimi në qendër të Kievit klasifikohet si një sulm terrorist dhe hetimet rreth kësaj ngjarjeje të rëndë do të vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje.

Advertisements