Breaking News

Përfundon votimi në Kosovë, votues e granata nga Serbia

Kosova votoi për kryetarët e rinj në 38 Komuna. Procesi ishte i qetë, pjesëmarja e ulët, ndërsa në orët në vijim priten edhe rezultatet e para.

Ndërkohë në pikën e Jarinjës u ndalua një autobus që sillte votues nga Serbia, në të cilin u gjetën dy granata me detonator të cilat u çaktivizuan nga policia kosovare. Gara zgjedhore u zhvillua në 38 komuna, ku u votua për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale. Të drejtë vote kishin më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë. Këtë të drejtë, sipas KQZ-së, e kanë shfrytëzuar 43.7 për qind e votuesve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se votimet janë zhvilluar në 899 qendra të votimit, me 2,505 vendvotime. Për monitorimin e zgjedhjeve, KQZ-ja kishte akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues. Në zgjedhje kanë marrë pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetarë komune apo për këshilltarë në Kuvendet Komunale). KQZ-ja ka certifikuar 7,091 kandidatë, prej tyre 6,887 janë kandidatë për asambletë komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetarë komunash.

Advertisements