Breaking News

Izraeli gjithashtu tërhiqet nga UNESCO

Vetëm pak orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan tërheqjen nga organizmi kulturor i Kombeve të Bashkuara, UNESCO, me një vendim të ngjashëm për t’iu bashkuar amerikanëve ka dalë edhe Izraeli. Amerika e argumentoi tërheqjen e saj me faktin se UNESCO kishte qëndrime antiizraelite.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu lavdëroi vendimin e SHBA-ve, duke e quajtur “të guximshëm dhe të moralshëm”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej tij. Agjencia është e njohur për përcaktimin e siteve të Trashëgimisë Botërore, siç janë Palmira e Sirisë dhe Kanioni i Madh në Shtetet e Bashkuara. Kreu i UNESCO-s, Irina Bokova e quajti më herët tërheqjen e SHBA-ve si çështje “keqardhjeje të thellë”. Ajo pranoi, gjithsesi, se “politizimi” kishte triumfuar në organizmin e drejtuar prej saj në vitet e fundit. Tërheqja e SHBA-ve përfaqëson një humbje të madhe për familjen e Kombeve të Bashkuara dhe multilaterizmit, shtoi Bokova. Tërheqja e SHBA-ve do të bëhet efektive në fund të dhjetorit të vitit 2018, por deri atëherë, Amerika do të mbetet anëtare me të drejta të plota. Shtetet e Bashkuara do të ngrenë një mision mbikëqyrës në organizatën me seli në Paris, për të zëvendësuar kështu përfaqësimin, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Advertisements