Breaking News

Rusia paralajmëron Amerikën mbi pasojat e largimit nga marrëveshja bërthamore

Zëdhënësi i presidentit të Rusisë ka paralajmëruar edhe një herë Amerikën për pasojat e largimit të saj nga marrëveshja bërthamore.

Nëse një vend si Amerika, që konsiderohet një prej anëtarëve kyç të nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore, merr vendim për largimin nga kjo marrëveshje, ky veprim do të ketë pasoja negative dhe do të shtojë mosbesimin ndaj Uashingtonit, tha në fjalën e tij Dimitri Peskov. Peskov rikujtoi se presidenti i Rusisë Vladimir Putin disa herë ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes bërthamore për bashkësinë ndërkombëtare.  Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) është organi i vetëm i cili është përgjegjës për shqyrtimin e përputhjes së Iranit me marrëveshjen bërthamore të njohur gjithashtu si Plani i Përbashkët i Veprimit. Sipas një vendimi të Kongresit amerikan, Presidenti i SHBA, Donald Trump, çdo 90 ditë duhet të vërtetojë angazhimin e Iranit ndaj marrëveshjes bërthamore. Ndërkohë, ANEA publikoi më 31 gusht, raportin e tetë dhe të tretin që kur Trump ka marrë detyrën në janar 2017, duke konfirmuar se Irani është angazhuar për zbatimin e marrëveshjes bërthamore me G 5+1. Raporti i ANEA u publikua një javë pas vizitës së ambasadores amerikane në OKB Nikki Haley në selinë e ANEA në Vjenë, për të kërkuar qasje në objektet ushtarake të Iranit.

Advertisements