Breaking News

Asad: Siria nuk do të harrojë kurrë sakrificat e Iranit

Presidenti sirian Bashar Asad deklaroi se vendi i tij nuk do të harrojë kurrë sakrificat e Republikës Islamike të Iranit në mbështetje të qeverisë dhe kombit sirian gjatë kohës së vështirë të luftës kundër terrorizmit.

Presidenti sirian i bëri këto deklarata të enjten në një takim në Damask me ligjvënësin e lartë iranian, Alaedin Boruxherdi, duke vënë në dukje se zhvillimet e fundit në rajon janë në favor të “boshtit të rezistencës”. “Këto zhvillime kanë shtuar forcën dhe aftësitë e boshtit të rezistencës”, tha presidenti sirian në takim me z. Boruxherdi, i cili është kryetar i Komisionit të Parlamentit iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme. Presidenti sirian gjithashtu theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë midis anëtarëve të “boshtit të rezistencës” në fusha të ndryshme, veçanërisht në ekonomi. Nga ana e tij, z. Boruxherdi e  përgëzoi presidentin Asad për fitoret e fundit të ushtrisë siriane kundër terroristëve, duke e përshëndetur Sirinë si “simbol i rezistencës përballë armiqve”. “Intensiteti i zhvillimeve të fundit në Siri me siguri do të kuptohet më shumë në të ardhmen, sepse qeveria dhe kombi sirian kanë arritur të mposhtin komplotet nga Shtetet e Bashkuara, regjimi sionist dhe aleatët e tyre rajonalë përmes rezistencës dhe këmbënguljes” tha ligjvënësi iranian. Boruxherdi gjithashtu iu referua letrës së Presidentit Asad drejtuar Liderit Suprem të Revolucionit Islamik, Ajetollah Khameneit muajin e kaluar, duke thënë se kjo letër pasqyroi “thellësinë e lidhjeve midis dy vendeve dhe rolin pozitiv të Republikës Islamike të Iranit në fitoret e fundit” të ushtrisë siriane.

Advertisements