Breaking News

Lideri Suprem i Iranit pret Erdoganin: SHBA synon të krijojë një Izrael të ri në rajon

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli përfitojnë nga referendumi i fundit në rajonin e Kurdistanit të Irakut, duke theksuar se Uashingtoni dhe fuqitë e huaja kërkojnë të krijojnë një Izrael të ri në rajon.

“Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e huaja nuk janë të besueshme dhe kërkojnë të krijojnë një Izrael të ri në rajon,” tha Ajetollah Khamenei në një takim të zhvilluar të mërkurën në Teheran me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Ajetollah Khamenei theksoi se mbajtja e referendumit kurd në Irak ishte një veprim tradhtie kundër rajonit dhe përbënte një kërcënim për të ardhmen e Lindjes së Mesme, duke paralajmëruar për pasojat afatgjata të këtij referendumi për fqinjët e Irakut. “Irani dhe Turqia duhet të marrin të gjitha masat e mundshme kundër kësaj lëvizjeje dhe qeveria irakiane gjithashtu duhet të marrë vendime dhe të ndërmarrë veprime serioze”, tha Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. Ajetollah Khamenei tha se armiqtë po përpiqen të mbajnë Iranin dhe Turqinë larg nga zhvillimet e mëdha rajonale, duke vënë në dukje se fuqitë e huaja dhe Izraeli janë përpjekur të krijojnë përçarje dhe  grindje midis vendeve të rajonit. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik tha se bashkëpunimi Iran-Turqi ishte shumë i rëndësishëm dhe përcaktues në zhvillimet më të mëdha në botën myslimane. Ajetollah Khamenei shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e Teheranit dhe Ankarasë gjatë bisedimeve të Astanasë mbi Sirinë, të cilat ai tha se kishin rezultuar në përmirësimin e situatës në Siri. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, megjithatë,  paralajmëroi se çështja e terroristëve takfiristë nuk do të zgjidhet nëse nuk miratohet një plan afatgjatë dhe realist. Nga ana e tij, Erdogan theksoi nevojën për një aleancë të fuqishme midis Iranit dhe Turqisë në rajon. Duke folur për referendumin e kurdëve të Irakut, presidenti turk tha se Ankaraja, Bagdadi dhe Teherani duhet të ndërmarrin veprime të përbashkëta kundër kësaj lëvizjeje. “Bazuar në prova të padiskutueshme, SHBA dhe Izraeli kanë arritur një marrëveshje të përgjithshme mbi referendumin separatist kurd”, tha Erdogan, duke shtuar se kreu i Kurdistanit të Irakut, Masud Barzani, kishte bërë një gabim të pafalshëm. Presidenti turk tha se referendumi i pavarësisë ishte i papranueshëm për fqinjët e Irakut. Ai gjithashtu tha se SHBA, Franca dhe Izraeli synojnë shpërbërjen e vendeve në Lindjen e Mesme që të nxjerrin përfitime politike, duke shtuar se ata kërkuan të zbatojnë të njëjtin komplot në Siri. Presidenti turk gjithashtu mbështeti qëllimin e rritjes së vëllimit të tregtisë turko-iraniane në 30 miliardë dollarë në vit.

Advertisements