Breaking News

Tragjedia e Las Vegasit, ISIS apo vrasje qorrazi

ISIS apo burri i çmendur, kushdo që të jetë përgjegjës për vrasjen më të madhe në Amerikë, ka shfrytëzuar një rast të favorshëm që është armëmbajtja e lirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vrasja në Las Vegas si të jetë bërë nga një grup terrorist apo nga një kriminel i pashpirtë, ajo do të përsëritet në të ardhmen pasi në Amerikë me armëmbajtjen e lirë ekzistojnë kushtet për të tilla ngjarje. 59 persona kanë vdekur në Las vegas, ndërsa rreth 257 të tjerë kanë mbetur të plagosur, gjatë sulmit me armë mbi turmën e qytetarëve që po ndiqnin koncertin. Incidenti që tronditi qytetin e kazinove ndodhi në afërsi të hotelit “Mandalay Bay”, e videot e ngarkuara në internet tregojnë qartë tmerrin e përjetuar nga njerëzit e mbledhur në koncertin e hapur të muzikës “Country”, kur mbi turmën u hap zjarr. Mes të vdekurve ka edhe policë që ishin jashtë shërbimit. Shumë hotele të zonës janë mbyllur, së bashku me një pjesë të bulevardit të Las Vegasit, ndërsa njerëzit e ndodhur aty në kohën e incidentit kanë gjetur strehim nëpër restorantet rreth e rrotull dhe aeroportin “McCarran”, ku për shkak të ngjarjes së rëndë disa fluturime janë devijuar. ISIS ka marrë përgjegjësin e sulmit në Las Vegas, ku mbetën të vrarë rreth 58  persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Në një komunikatë të publikuar në agjencitë e lajmeve  ISIS pohoi se sulmuesi ishte ushtar i këtij grupi terrorist takfirist. Grupi terrorist ka pohuar se Stephen Craig Paddock u konvertua në islam pak kohë para sulmit.  “Sulmi në Las Vegas u krye nga një ushtar i ISIS dhe ai e kreu atë në përgjigje të thirrjeve ndaj shteteve të synuara që ka koalicioni”, deklaroi agjencia e lajmeve e varur nga grupi terrorist ISIS. Kjo u përhap me shpejtësi nga mediat amerikane, aq sa detyruan autoritetet vendase që të dalin me një deklaratë e të njoftojnë me bindje se autori i masakrës që la 59 të vdekur dhe 257 të plagosur nuk ka lidhje me ISIS. “Nuk ka asnjë të dhënë, asnjë fakt a provë që të lidhë vrasësin e Las Vegasit me grupe terroriste ndërkombëtare”, thanë autoritetet amerikane. Ndërkohë, Hillary Clinton, pasi shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave u kërkoi amerikanëve që të gjejnë forcë dhe të kundërshtojnë ligjet për armëmbajtjen.  “Dhimbja është e madhe! Duhet ta lemë mënjanë politikën dhe të marrim qëndrim të qartë kundër Shoqatës Kombëtare të Armëve dhe të punojmë së bashku për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen”, u shpreh ish-Sekretarja e Shtetit. Shoqata e Armëve, ose NRA (National Rifle Association) është lobuesja kryesore dhe tejet e fuqishme kundër shtrëngimit të ligjeve për armëmbajtjen. Presidenti i SHBA, Donald Trump si një nga përkrahësit e lirisë së armëmbajtjes në Amerikë, iu drejtua kombit amerikan pas sulmit vdekjeprurës në Las Vegas. Nga Shtëpia e Bardhë, Trump e konsideroi sulmin si një akt të së keqes. Ai ka urdhëruar që flamuri amerikan të jetë në gjysmë shtize për të nderuar viktimat. Presidenti tha gjithashtu se do të vizitojë Las Vegas të mërkurën për t’u takuar me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave.

Advertisements