Breaking News

Irani dhe opsionet e tjera pa marrëveshjen bërthamore në politikën e jashtme

Marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe grupit 5+1 ishte rezultat i negociatave të ndërlikuara dhe të vështira të cilat i dhanë suksese të konsiderueshme Teheranit dhe palëve të tjera nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Mirëpo me sabotimet e Amerikës dhe me mundësinë e prishjes së marrëveshjes bërthamore, është e domosdoshme të parashikohen dhe merren hapa të tjerë.

Marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe grupit 5+1, këto ditë është bërë objekt diskutimi për shkak të qëndrimeve anti-marrëveshje të presidentit radikal amerikan Donald Trump. Si rezultat autoritetet e vendeve pjesëmarrëse në negociatat për marrëveshjen bërthamore, kanë marrë qëndrime të reja në këtë fushë. Një prej këtyre qëndrimeve është deklarata e ambasadorëve të Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe të BE-së në Uashington të cilët pasi kanë mbrojtur marrëveshjen bërthamore, kanë kërkuar nga Amerika të respektojë këtë marrëveshje ndërsa nga qeveritë evropianë kërkuan të mbështesin marrëveshjen me Iranin duke qenë se janë palë nënshkruese. Megjithatë Donald Trump, i është kundërvënë haptazi të gjithë marrëveshjes bërthamore. Ai më 15 tetor do të japë raportin e tij në Kongresin amerikan mbi zbatimin ose jo të marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit dhe më pas Kongresi do të shqyrtojë analizën e bërë nga Shtëpia e Bardhë lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Deri më tani presidenti amerikan disa herë ka përmendur mundësinë e mohimit të zbatimit të marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit. Shumë analistë dhe qarqe politike në Amerikë dhe vetë anëtarët e kabinetit qeveritar të Donald Trump janë shprehur kundër daljes së Amerikës nga marrëveshja bërthamore. Pas qëndrimit të ashpër të Donald Trump në fjalimin e tij në AP të OKB, Nikki Halley ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB e cila njihet si një prej personaliteteve më aktive kundër marrëveshjes bërthamore, ka thënë se deklarata e Trump detyrimisht nuk nënkupton daljen nga marrëveshja bërthamore. Ministri i jashtëm i RII z. Muhamed Xhavad Zarif ka thënë se Presidenti i SHBA, Donald Trump “do të hapte kutinë e Pandorës” nëse përpiqet të rinegociojë kushtet e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore. Gjatë një interviste të publikuar nga Associated Press të mërkurën, Zarif theksoi se mundësia e rinegocimit të Planit të Përbashkët të Veprimit është një “mit”. Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Rusia dhe Kina – plus Gjermania nënshkruan marrëveshjen bërthamore më 14 korrik 2015, ndërsa zbatimi i saj filloi më 16 janar 2016. Që kur Trump mori detyrën e presidentit të SHBA, administrata amerikane ka nisur sulmet kundër marrëveshjes bërthamore, duke kërcënuar në shumë raste se do të braktisë marrëveshjen. Zarif deklaroi se nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja, Teherani nuk është më i lidhur me atë marrëveshje, duke shtuar, ne do të “vendosim se si duam të merremi me të”. “Kjo nuk do të thotë se Irani dëshiron të ndjekë opsionin e armëve bërthamore”, theksoi Zarif. “Por ajo që është e rëndësishme është se nëse marrëveshja do të shkelet, atëherë Irani ka shumë opsione, njëra prej të cilave do të ishte të kishte një program i pakufizuar por paqësor i energjisë bërthamore”. Megjithatë shkelja e marrëveshjes bërthamore nga ana e Amerikës, nuk lë asnjë arsye që Irani të vazhdojë të zbatojë angazhimet e tij në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Advertisements