Breaking News

Merkel përsëri në pushtet

Kancelarja gjermane Angela Merkel është rizgjedhur për të marrë drejtimin e vendit për herë të katërt. Konservatorët e kancelares Angela Merkel kanë siguruar një mandat të katërt radhazi në pushtet në zgjedhjet që sollën një parti të së djathtës ekstreme për të parën herë në parlament në më shumë se gjysmë shekulli.

Blloku konservator i Merkelit, Kristian-Demokratët dhe aleatët e tyre bavarezë, Unioni Kristian-Social, morën 32.5 për qind të votave, sipas një exit-polli të transmetuesit publik gjerman, ARD, që e bën atë grupin më të madh parlamentar. Duke folur para mbështetësve të saj në Berlin, Merkel tha se kishte shpresuar për një rezultat më të mirë, por shtoi se partia e saj konservatore do tia dalë të realizojë premtimet e bëra gjatë fushatës. “Sigurisht përballemi me një test të madh, AfD që hyn në parlament. Do të bëjmë një analizë të thellë, sepse duam të rifitojmë zgjedhësit e AFD duke zgjidhur problemet dhe duke dëgjuar shqetësimet e tyre, ndonjëherë edhe frikën e tyre”, u shpreh Merkel. Lideri i socialdemokratëve, kandidat për postin e kancelarit, Martin Schulz, tha ndërkohë në Berlin se kjo ishte një ditë e hidhur për partinë e tij.  Rezultati prej 20 për qindësh, është më i ulëti që pas luftës dhe do t’i çojë socialdemokratët në opozitë. “Kjo është një ditë e vështirë dhe e hidhur për socialdemokracinë në gjermani. Do të flas hapur, ne kemi dështuar. Por, kjo do të thotë që ne do të vazhdojmë luftën për demokraci, tolerancë dhe respekt. Nga sot, bashkëpunimi ynë me CDU në koalicion të gjerë, merr fund”, deklaroi Schulz. Alternativa për Gjermaninë, AfD, formacion ky i ekstremit të djathtë, nacionalist dhe anti-islam, ka tronditur skenën politike duke dalë i treti dhe duke hyrë për të parën herë në parlament me 13.5 për qind të votave. Merkel mban postin e kancelares në Gjermani që prej vitit 2005.

Advertisements