Breaking News

Merkel fitoi mandatin e katërt

Pas fitores, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se nuk është e lehtë të jesh udhëheqëse për të katërtën herë radhazi.

Në fjalën e saj përpara mbështetësve, “zonja e hekurt” tha se priste një rezultat më të mirë, “por kjo tani nuk ka rëndësi, do të formojmë qeverinë” deklaroi Merkel. Kancelarja tha se ka qenë e vështirë për të udhëhequr një fushatë elektorale, por ka qenë një nga më të shkëlqyerat sipas saj. “Do diskutojmë me partnerët tanë për të bërë më të mirën për formimin e Qeverisë. Prej muajsh kemi luftuar dhe do luftojmë për të mirën e Gjermanisë”, tha Merkel. Kancelarja gjermane tha se hyrja në parlament e partisë ekstremiste të së djathtës Alternativa për Gjermaninë (AfD) përbënte një ‘sfidë të re të madhe’, duke pranuar se rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin aq të mira sa ajo kishte shpresuar. “Ka një sfidë të re për ne, dhe kjo është hyrja e AfD-së në Bundestag”, tha Merkel të dielën pasi partia e saj fitoi zgjedhjet e përgjithshme, duke shtuar: “Ne duam të fitojmë votuesit e AfD-së”. Rivali i saj Martin Schulz në një deklaratë për mediat ka pranuar humbjen, duke deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë duke marrë të gjithë përgjegjësitë e humbjes. Ai tha se do të krijohet opozita më e fortë që Gjermania ka pasur ndonjëherë.

Advertisements