Breaking News

Presidenti iranian hedh poshtë deklaratat injorante dhe keqdashëse të presidentit amerikan

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani ka hedhur poshtë deklaratat anti-iraniane të Presidentit të SHBA, Donald Trump, për komentet e tij “injorante dhe keqdashëse” kundër kombit iranian.

Presidenti Ruhani, të mërkurën mbajti një fjalim në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku tha se “fjalimi injorant, i shëmtuar dhe keqdashës i presidentit amerikan, i cili ishte plot me informacione të rreme dhe akuza të pabaza, kundër kombit iranian” ishte nën dinjitetin dhe prestigjin e Kombeve të Bashkuara. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB të martën, Trump akuzoi Iranin për përfshirjen në “aktivitete destabilizuese” në rajon. Ai gjithashtu pretendoi se “mbështetja e Iranit për terrorizmin është në kontrast të plotë me angazhimet e fundit të shumë prej fqinjëve të tij për të luftuar terrorizmin dhe për të ndaluar financimin e tij”. Trump gjithashtu denoncoi marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe grupit të vendeve të P5 + 1, përfshirë SHBA, duke e quajtur atë si “një siklet” për Amerikën dhe shtoi se Uashingtoni mund të braktisë këtë marrëveshje. Trump tha se marrëveshja e Iranit ishte “një nga marrëveshjet më të këqija dhe më të njëanshme që Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar ndonjëherë”. Në përgjigje, presidenti i RII z. Hasan Ruhani tha se marrëveshja bërthamore, e njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit, ishte një marrëveshje ndërkombëtare e mbështetur nga Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Marrëveshja bërthamore nuk i përket një ose dy vendeve. Ajo është një dokument i KS të OKB-së, që i takon të gjithë bashkësisë ndërkombëtare ” tha presidenti Ruhani. Gjithashtu, presidenti i RII iu përgjigj kërcënimit të SHBA-së për të anuluar marrëveshjen, duke thënë se Irani do t’i përgjigjej çdo shkeljeje të marrëveshjes bërthamore. “Republika Islamike e Iranit nuk do të jetë vendi i parë që do të shkelë marrëveshjen bërthamore, por do t’i përgjigjet në mënyrë të vendosur dhe të përshtatshme çdo shkeljeje të kësaj marrëveshjeje”, tha ai. Ruhani gjithashtu paralajmëroi për përpjekjet e disa “politikanëve të paaftë” për të çmontuar marrëveshjen bërthamore, por theksoi se përpjekje të tilla do të dështojnë të ndalin ecjen e Iranit në rrugën e progresit. “Duke mos mbajtur premtimet dhe duke shkelur detyrimet ndërkombëtare, administrata e re amerikane vetëm sa do të diskreditohet më shumë në nivel global dhe do të humbasë besimin e qeverive dhe të kombeve në çdo negociatë dhe marrëveshje të ardhshme”, tha presidenti iranian. Në fjalimin e tij, z. Ruhani foli edhe për fuqinë mbrojtëse të Iranit, duke përfshirë programin raketor, dhe siguroi komunitetin ndërkombëtar se potenciali ushtarak i Iranit ka vetëm karakter mbrojtës dhe ka për qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Presidenti iranian po ashtu kritikoi ashpër Izraelin, duke thënë se nuk është e pranueshme që regjimi sionist i Izraelit, i cili nuk respekton asnjë ligj ndërkombëtar dhe armët bërthamore të të cilit paraqesin një kërcënim për rajonin dhe mbarë botën, të këshillojë vendet paqedashëse. Ruhani tha se Irani ishte në ballë të luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke shtuar se Republika Islamike kërkon një rajon të sigurt dhe për këtë qëllim mirëpret bashkëpunimin me vendet e tjera.

Advertisements