Breaking News

Erdogan hedh poshtë kritikat për blerjen e S-400

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka hedhur poshtë kritikat nga aleatët e tij të NATO-s mbi blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 të Rusisë, duke thënë se Ankaraja nuk do të “presë” aleancën ushtarake perëndimore për të ndihmuar Turqinë në çështjet e sigurisë.

“Ata u zemëruan, sepse kemi bërë marrëveshje për blerjen e sistemit raketor S-400. Çfarë duhej të bënim, të prisnim për ju? “tha kreu i shtetit të Turqisë gjatë një fjalimi në Ankara të mërkurën. “Ne po marrim dhe do të marrim të gjitha masat tona në frontin e sigurisë” shtoi ai. Erdogan tha të hënën se Turqia kishte paguar tashmë një depozitë për dy bateri të sistemeve të raketave të përparuara S-400. Marrëveshja thuhet të jetë me vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë. Sistemi S-400 është një sistem raketash i avancuar rus i projektuar për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar avionë, dronë ose raketa deri në 402 kilometra larg. Para përmirësimit të raporteve me Rusinë, ushtria turke u largua nga një kontratë prej 3.4 miliardë dollarësh për një sistem të ngjashëm kinez. Tërheqja, tha raporti, u bë nën presionin e Shteteve të Bashkuara, që dominon NATO-n, ku Turqia është anëtare. Gjatë fjalimit të tij, Erdogan tha se vendi i tij duhej të blinte sistemin e raketave ruse, pasi kompanitë perëndimore nuk arritën të ofronin alternativa “financiare efektive”. Shpjegimet e tij, megjithatë, nuk ndaluan valën e kritikave nga SHBA dhe anëtarë të tjerë të NATO-s. “Një sistem i mbrojtjes së raketave antiajrore të NATO-s mbetet opsioni më i mirë për të mbrojtur Turqinë nga rreziku i kërcënimeve në rajonin e saj,” tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit Johnny Michael. Erdogan mbeti sfidues, duke e bërë të qartë se “askush nuk ka të drejtë të diskutojë parimet e pavarësisë së republikës turke apo vendimet e pavarura të Ankarasë në lidhje me industrinë e saj të mbrojtjes”.

Advertisements