Breaking News

Shkatërrimet e luftës, Polonia i kërkon dëmshpërblim Gjermanisë

Vetëm pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, qeveria polake i ka përsëritur Berlinit kërkesën për dëmshpërblimin e dëmeve të pësuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Autoritetet polake përmendin shifra të çmendura. “Duhet të ulemi për një bisedë serioze me gjermanët dhe të vrasim mendjen së bashku sesi mund të zgjidhet problemi”, i tha radios “RFM” ministri i Jashtëm, Witold Waszczykowski.Dëmet e luftës, sipas tij mund të mbërrijnë në nivelin e një trilion dollarëve. “Marrëdhëniet dypalëshe, – tha kreu i diplomacisë polake, – sot e kësaj dite vazhdojnë të errësohen nga agresioni gjerman i vitit 1939 dhe çështjet e pazgjidhura të pasluftës”.Ministri i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz i ka akuzuar nga ana tjetër kritikët europianë, se po përpiqen të “fshijnë” nga kujtesa historike e Europës fatin e polakëve në duart e gjermanëve të asaj kohe.Qeveria polake e krahut të djathtë e ka pezulluar rezolutën e miratuar në vitin 1953, nga ish-ekzekutivi komunist, ku rrëzohej çdo pretendim për dëmshpërblim nga Berlini, e këmbëngul tani se Gjermania po përpiqet t’i bëjë bisht përgjegjësisë së saj morale.

Advertisements