Breaking News

Trump paralajmëron Islamabadin, kryeministri pakistanez viziton papritur Riadin

Udhëtimi i papritur i kryeministrit pakistanez në Arabinë Saudite mund të lidhet me paralajmërimin e presidentit amerikan për Islamabadin për të ndalur mbështetjen ndaj talebanëve dhe grupeve terroriste.

Kryeministri pakistanez Khakan Abasi zhvilloi një udhëtim të papritur në Riad të mërkurën për t’u takuar me zyrtarët sauditë, duke përfshirë princin e kurorës Muhamed bin Salman. Vizita e kryeministrit të Pakistanit erdhi disa orë pasi presidenti Donald Trump shpalli përcaktimin e strategjisë së re të vendit të tij në Afganistan dhe akuzoi Islamabadin se territori pakistanez është bërë një parajsë për autorët e kaosit, dhunës dhe vrasjes, dhe paralajmëroi se nëse Pakistani vazhdon të mbështesë kriminelët dhe të strehojë terroristët që luftojnë kundër qeverisë afgane, duhet të paguajë një çmim të lartë. Edhe zyrtarët e tjerë të Shtëpisë së Bardhë përdorën kartën indiane për të ushtruar presion ndaj Pakistanit dhe sekretari i Shtetit i SHBA, Rex Tillerson, përsëriti akuzat kundër Islamabadit duke thënë: “Ne duam të shqyrtojmë marrëdhëniet gjithëpërfshirëse me Pakistanin dhe Indinë”. Tillerson shtoi: “Ne synojmë që marrëdhëniet me Pakistanin t’i kushtëzojmë me dhënien fund të përkrahjes së Islamabadit për Talebanin dhe grupet e tjera terroriste. Ne duam të punojmë me Pakistanin në një mënyrë pozitive, por ata duhet të ndryshojnë qasjen e tyre”. Departamenti i Shtetit i SHBA, kohët e fundit publikoi  një raport mbi luftën globale kundër terrorizmit, ku ka akuzuar qeverinë pakistaneze se nuk ka bërë asgjë në luftën kundër grupit Taleban apo kundër grupeve ekstremiste si Grupi Hakani. Duke pasur parasysh këto incidente, duket se ka një lidhje midis vizitës së kryeministrit pakistanez në Arabinë Saudite, pasi sauditët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e shkollave fetare që promovojnë mësimet ekstremiste e vehabiste në Pakistan dhe vazhdojnë të jenë sponsorët kryesorë të shumë prej këtyre grupeve ekstremiste. Qëllimi kryesor i veprimtarisë saudite ishte të nxiste vehabizmin në rajon, dhe kjo veprimtari arriti kulmin kur sovjetikët ishin në territorin e Afganistanit, ku sauditët krijuan mijëra shkolla fetare në Pakistan me të ardhurat e tyre të naftës dhe lehtësuan hyrjen e arabëve radikalë në Afganistan për xhihad me Bashkimin Sovjetik. Ata krijuan grupe terroriste të tilla si al-Kaeda, talebanët dhe dhjetëra grupe të tjera. Tani, 16 vjet pas agresionit të Shteteve të Bashkuara kundër Afganistanit, jo vetëm Talibanët nuk janë zhdukur, por gjatë dy viteve të fundit kanë marrë kontrollin e shumë rajoneve të Afganistanit dhe kjo gjë mund të errësojë menaxhimin amerikan të grupeve terroriste dhe madje rrezikon ta shtyjë qeverinë e Kabulit të bashkëpunojë me Rusinë dhe Kinën për të luftuar grupet terroriste. Rrjedha e krizës në Siri provokoi praninë e Rusisë në vend dhe uli rolin e Amerikës. Uashingtoni nuk do që kjo gjë të përsëritet në Afganistan. Tani, me sa duket, Trump për të parandaluar një humbje të plotë në Afganistan ka filluar të angazhohet seriozisht në luftën me grupet terroriste dhe në këtë kuadër të ushtrojë presion mbi Pakistanin. Nga ana tjetër, Islamabadi ka vetëm dy alternativa: Të marrë garanci të mjaftueshme nga sauditët për të vazhduar mbështetjen financiare të Pakistanit dhe të dalë nga aleanca me Shtetet e Bashkuara, ose të kërkojë që sauditët të kufizojnë aktivitetet e tyre destruktive  në Pakistan.

Advertisements