Breaking News

Trupi i pajetë i ish-kryeministrit Rexhepi, arrin sot në Prishtinë

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në moshën 63 vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin shtetëror të Turqisë  ,ku prej muajsh ndodhej në koma pas sulmeve të pësuara në tru.

Trupi i pajetë i Bajram Rexhepit, pritet të arrij sot në mëngjes rreth orës 8:30, në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Më pas trupi i pajetë, i ish-kryeministrit Rexhepi, do të përcillet për në banesën e fundit me një ceremoni mortore nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Rexhepi, i lindur në Mitrovicë, ishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, e deri në vitet 1990 kishte punuar si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Gjatë luftës me Serbinë, 9 vite më vonë, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi 3 muaj në male duke shërbyer si mjek në Zonën Operative të Shalës. Rexhepi ishte trajtuar fillimisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe iu nënshtrua një operacioni, por në mungesë të përmirësimit është vendosur transferimi i tij në Turqi, ku qëndroi për disa muaj. Shpenzimet e trajtimit mjekësor të ish-kreut të ekzekutivit kosovar i ka mbuluar Ambasada turke në Prishtinë. Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit kanë shprehur edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

Advertisements